Zëvendësministri Shabani: BDI-ja nuk ka kredibilitet të flasë për pjesëmarrjen e shqiptarëve si kadetë në Akademinë Ushtarake.

Talat Xhaferi ishte zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e LSDM-së nga viti 2004 deri në vitin 2006. Pikërisht gjatë asaj periudhe, Akademia Ushtarake u vendos nën moratorium dhe nuk pranoi studentë të ciklit të parë deri në vitin 2008.

Talat Xhaferi ishte gjithashtu ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit nga viti 2013 deri në vitin 2014.
Ndërkaq, gjatë mandatit të fundit të LSDM-së, kur Talat Xhaferi ishte kryetar i Kuvendit dhe më pas kryeministër teknik, në konkurset e Akademisë Ushtarake aplikonin çdo vit vetëm një ose dy kadetë shqiptarë.
VLEN nuk mund t’i detyrojë kandidatët me forcë që të bëhen oficerë profesionistë të ushtrisë. Nuk jemi në shekullin XV!
Po, trendi në rënie është shqetësues, por kjo çështje nuk zgjidhet brenda natës. Kërkohet qasje sistematike, përmes së cilës të rinjtë shqiptarë duhet të orientohen drejt këtij profesioni që nga shkolla e mesme.
Këtë realitet e kemi trashëguar pikërisht nga ju dhe jo rastësisht, në disa raste, kam bërë thirrje dhe njoftime publike që kandidatët shqiptarë të paraqiten dhe të aplikojnë në Akademinë Ushtarake. Këtë e kam bërë sepse i kam parë shifrat dhe e kam ditur se edhe gjatë qeverisjes suaj, numri i shqiptarëve që paraqiteshin në këtë akademi ishte vetëm një ose dy në vit. Prandaj, përtej debatit politik, nevojitet sensibilizim i vazhdueshëm i të rinjve dhe prindërve, në mënyrë që Akademia Ushtarake të shihet si një mundësi reale për karrierë, përfaqësim dhe kontribut në institucionet e shtetit.
I bëjmë thirrje BDI-së të ndalojë manipulimet dhe përpjekjet për të krijuar një përshtypje të rreme në opinion se shqiptarët po diskriminohen tani, vetëm sepse janë në opozitë dhe nuk mund të përfitojnë më tenderë!