Në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi në Shkup u promovua sot platforma digjitale turistike “Maqedonia 360” (Macedonia360.mk), e cila mundëson hulumtimin virtual të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe historike të vendit përmes panoramave 360 gradë, shëtitjeve virtuale dhe përmbajtjes video.
Platforma, siç u tregua në promovim, është një hartë digjitale interaktive kombëtare me më shumë se 500 lokacione dhe mbi 10.000 panorama, të organizuara në kategori të tilla si vendbanime, monumente natyrore, vende arkeologjike, muze, vende fetare, destinacione aventureske, objekte hoteliere dhe turistike, si dhe prodhues të vegjël bujqësorë. Platforma gjithashtu përmban prezantime virtuale 360 gradë të Muzeut të Luftës Maqedonase për Pavarësi dhe Muzeut Arkeologjik të Maqedonisë, të pasuruara me narracion audio në gjuhën maqedonase dhe angleze, përmes të cilit vizitorët mund të lëvizin virtualisht nëpër ambientet e muzeut dhe të njihen me përmbajtjen historike. Tekstet në platformë janë gjithashtu të disponueshme në përkthim në katër gjuhë – anglisht, shqip, turqisht dhe serbo-kroatisht.
Platforma është realizuar nga Agjencia për Turizëm dhe Marketing “Maqedonia në pëllëmbë”, me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, përmes konkursit për projekte nga sfera e industrive kreative dhe kulturore për vitin 2026.
Autori i projektit dhe përfaqësues i Agjencisë për Turizëm dhe Marketing “Maqedonia në pëllëmbë”, Bojan Trençevski, theksoi se “Maqedonia 360” është reazultat i punës shumëvjeçare që filloi me xhirimet e para panoramike 360 nga ajri në vitin 2015.
“Qëllimi ishte që në një vend të bashkoheshin përmbajtjet turistike, natyrore, historike dhe kulturore, me mundësinë që vizitori t’i kërkojë lehtësisht, t’i gjejë në hartë, të marrë informacion rreth tyre dhe t’i shohë virtualisht. Sot, kjo ide është rritur në diçka shumë më të madhe – në një hartë turistike digjitale që lidh natyrën, historinë, kulturën, trashëgiminë shpirtërore, turizmin dhe teknologjinë moderne” tha Trençevski.
Ai theksoi se platforma përfaqëson version të përmirësuar dukshëm të projektit “Maqedonia në pëllëmbë” dhe është rritur në “udhëzues të plotë digjital për turizëm, kulturë dhe trashëgimi historike”.
“Në projektin e ri ‘Maqedonia 360’, deri më tani kemi hartëzuar më shumë se 500 lokacione, në vend të 300 të planifikuara fillimisht, dhe ato janë të organizuara në kategori të ndryshme tematike. Në këtë mënyrë, duam ta afrojmë Maqedoninë jo vetëm me vizitorët vendas, por edhe me turistët e huaj anembanë botës”, theksoi Trençevski.
Sipas tij, një nga qëllimet kryesore të platformës është t’i promovojë edhe vendet më pak të njohura turistike në mbarë vendin.
“Maqedonia ka qindra vende më pak të njohura që meritojnë vëmendje. Një nga qëllimet kryesore të ‘Maqedonia 360’ është t’i bëjë këto vende të dukshme dhe t’i mundësojë vizitorit, derisa hulumton një destinacion të famshëm, të zbulojë disa vende më interesante në afërsi të tij”, tha Trençevski.
Drejtoresha e Muzeut të Luftës Maqedonase për Pavarësi, Ançe Ilievska, vlerësoi se teknologjitë digjitale hapin mundësi të reja për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe për afrimin e saj me publikun më të gjerë.
“Kjo është arsyeja pse ne besojmë se krijimi i një shëtitjeje virtuale 360 gradë nëpër Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi përfaqëson një hap të rëndësishëm në prezantimin e tij digjital”, theksoi ajo.
Ilievska thekson se shëtitja virtuale është pasuruar me narracion audio në gjuhën maqedonase dhe angleze dhe u lejon vizitorëve jo vetëm të shikojnë hapësirën e muzeut, por edhe të kuptojnë më mirë përmbajtjen historike të ekspozitës.
“Qëllimi ynë nuk është që vizita virtuale të zëvendësojë vizitën fizike, por ta plotësojmë atë, ta pasurojmë dhe të inkurajojmë një interes edhe më të madh për përmbajtjen e muzeut”, tha Ilievska.
Në kuadër të kësaj ngjarje ishte organizuar edhe një panair i vogël në të cilin u prezantuan rreth njëzetë prodhues bujqësorë.


