Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë mangësi serioze në kornizën ligjore dhe institucionale për luftimin e diskriminimit, racizmit dhe gjuhës së urrejtjes. Në vitin 2025 janë trajtuar 559 raste diskriminimi, ndërsa pjesa më e madhe e ankesave kanë pasur si bazë origjinën kombëtare ose etnike. Më shumë se gjysma e rasteve lidhen me punën dhe punësimin.
Korniza ligjore dhe institucionale për luftimin e diskriminimit në Maqedoninë e Veriut mbetet e paplotë, ndërsa institucionet përgjegjëse për mbrojtjen nga diskriminimi vazhdojnë të përballen me mungesë kapacitetesh, pavarësie dhe personeli. Këto janë disa nga vërejtjet e Komisionit Evropian në Raportin e fundit për Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta KOHA.
Brukseli konstaton se legjislacioni kundër diskriminimit ende nuk është harmonizuar plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën për Barazinë Racore dhe standardet evropiane për organet e barazisë. Mangësi evidentohen edhe në harmonizimin me legjislacionin e BE-së për barazinë gjinore, veçanërisht në fushat që lidhen me dhunën ndaj grave, ekuilibrin ndërmjet jetës profesionale dhe private, transparencën e pagave dhe përfaqësimin e grave në bordet e kompanive.
559 RASTE DISKRIMINIMI, ETNIA NDËR BAZAT KRYESORE
Të dhënat e përfshira në Raport tregojnë se vetëm gjatë vitit 2025, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar 559 raste diskriminimi. Veçanërisht bie në sy fakti se shumica e ankesave kanë qenë të lidhura me origjinën kombëtare ose etnike, ndërsa më shumë se gjysma e rasteve të diskriminimit gjatë vitit të kaluar kanë qenë të lidhura me punën dhe punësimin.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian konstaton se institucionit që duhet të mbrojë qytetarët nga diskriminimi i mungon pavarësia e nevojshme institucionale dhe financiare, si dhe personeli i mjaftueshëm. Vërejtje ka edhe për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas KE-së, procesi parlamentar për këto emërime duhet të jetë transparent dhe të bazohet në meritë, ndërkohë që plotësimi i vendeve të komisionerëve është vonuar.
Raporti evidenton mangësi edhe në zbatimin e politikave shtetërore kundër diskriminimit. Strategjia për Barazi dhe Mosdiskriminim 2021-2026 nuk është zbatuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, ndërsa Organi Kombëtar Koordinues për Promovimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka qenë kryesisht joaktiv. Komisioni Evropian konstaton gjithashtu se, pavarësisht detyrimeve ekzistuese, harmonizimi i parimeve të mosdiskriminimit në legjislacionin përkatës vazhdon të vonohet.
Në Raport përmenden edhe dy iniciativa të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, me të cilat kontestohet kushtetutshmëria e ndryshimeve të vitit 2025 në ligjet për arsimin, lidhur me heqjen e përmbajtjeve për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe barazinë gjinore.
EDHE LUFTA KUNDËR RACIZMIT ME KORNIZË TË PAPLOTË
Vërejtjet e Brukselit nuk përfundojnë vetëm te diskriminimi. Edhe korniza ligjore dhe institucionale për luftimin e racizmit dhe veprave penale të urrejtjes vlerësohet si e paplotë, ndërsa KE kërkon përmirësim të zbatimit të saj. Sipas Raportit, duhet të forcohen më tej legjislacioni dhe kapacitetet institucionale për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, në mënyrë që vendi të harmonizohet me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane. Maqedonisë së Veriut i kërkohet gjithashtu të zbatojë Rekomandimin nr. 15 të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për gjuhën e urrejtjes dhe t’i adresojë plotësisht, pa vonesa, konstatimet e raportit të ECRI-t të shtatorit 2023.
RRJETET SOCIALE, BURIMI KRYESOR I GJUHËS SË URREJTJES
Një tjetër problem që evidenton Komisioni Evropian është mungesa e mbledhjes sistematike të të dhënave nga institucionet shtetërore për rastet e gjuhës dhe krimeve të urrejtjes. Për pasojë, një pjesë e rëndësishme e monitorimit dhe dokumentimit vazhdon të bëhet në mënyrë të pavarur nga organizatat e shoqërisë civile. Sipas të dhënave të këtyre organizatave të përfshira në Raport, gjatë vitit 2025 incidentet e dyshuara të gjuhës së urrejtjes më së shpeshti kanë pasur si bazë përkatësinë etnike, orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Interneti dhe rrjetet sociale, ndërkohë, janë shndërruar në platformën dhe burimin kryesor të gjuhës së urrejtjes.
Komisioni Evropian thekson se Maqedonia e Veriut ende duhet ta ratifikojë Protokollin nr. 2 të Konventës për Krimin Kibernetik. Sipas Raportit, ky instrument do t’u mundësonte autoriteteve t’i identifikojnë në mënyrë më efektive personat që qëndrojnë pas profileve dhe grupeve në rrjetet sociale. Në tërësi, vlerësimet e Brukselit tregojnë se, krahas plotësimit të legjislacionit, sfida mbetet funksionimi efektiv i institucioneve, forcimi i pavarësisë së tyre dhe zbatimi praktik i mekanizmave për mbrojtjen nga diskriminimi, racizmi dhe gjuha e urrejtjes.


