Për pesë ditë, 25 denoncime për dhunë në familje – arrestohen 14 persona

Në periudhën nga 1 deri më 5 nëntor 2026, zyrtarët policorë kanë vepruar në bazë të 25 denoncimeve për dhunë në familje dhe dhunë në marrëdhëniet në çift dhe ato familjare, në rajonet e Shkupit, Kumanovës, Koçanit, Shtipit, Velesit, Ohrit, Gostivarit, Kavadarit, Prilepit, Manastirit, Tetovës, Berovës, Strugës, Kërçovës, Sveti Nikollës dhe Strumicës, shkruan gazeta KOHA.

Gjatë trajtimit të një pjese të rasteve, zyrtarët policorë privuan nga liria dhe ndaluan 14 persona, për shkak të dyshimeve për sulme fizike, kanosje dhe forma të tjera të sjelljes së dhunshme ndaj anëtarëve të familjes dhe partnerëve aktualë ose të mëparshëm.

Ndër rastet e denoncuara ka sulme fizike ndaj bashkëshortëve, ish-partnerëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave, si dhe raste të keqtrajtimit psikik, kërcënimeve dhe shqetësimit. Janë evidentuar edhe raste të mosrespektimit të masave të shqiptuara për mbrojtje, si dhe të mosrespektimit të vendimeve të qendrave për punë sociale lidhur me realizimin e takimeve me fëmijët e mitur.

Në njërin prej rasteve në Shkup, një person ka kërcënuar nënën e tij me një send të mprehtë, ndërsa në një rast tjetër në Tetovë është denoncuar përndjekja dhe kërcënimi i ish-partnerit, me ç’rast nuk janë respektuar masat mbrojtëse të shqiptuara nga gjykata.

Janë denoncuar edhe raste të dhunës fizike ndaj personave të mitur, si dhe kërcënime dhe sjellje të dhunshme në shtëpinë familjare.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzimet dhe parashtresat përkatëse.

Ministria e Punëve të Brendshme vepron ndaj çdo denoncimi për dhunë në familje dhe ndërmerr të gjitha masat ligjore për zbulimin dhe sanksionimin e kryerësve. “U bëjmë apel qytetarëve që të mos heshtin dhe të denoncojnë me kohë çdo formë të dhunës në familje, në mënyrë që institucionet kompetente të mund të reagojnë në kohë”.