OKM-ja kërkon masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit në Shkup! Ngrohje qendrore, transport publik dhe gjelbërim, propozimet për ajër më të pastër

Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë kërkon masa konkrete dhe përfshirje më të madhe të institucioneve dhe bizneseve në luftën kundër ndotjes së ajrit në Shkup. Në një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë përfaqësues të kompanive nga sektorët e transportit dhe energjetikës, institucioneve kompetente, pushtetit lokal dhe ekspertë, u diskutua për përgjegjësinë e secilit sektor në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ndër masat e propozuara janë zgjerimi i ngrohjes qendrore, nxitja e përdorimit të sistemeve më pak ndotëse të ngrohjes, kontrolli teknik i automjeteve që lëshojnë gazra ndotës, përmirësimi i transportit publik, shtimi i shtigjeve për biçikleta dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra. Organizata thekson edhe rëndësinë e transparencës, ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe përfshirjes aktive të bizneseve në mbrojtjen e mjedisit.

“Nga mënyra e përdorimit të automjeteve, nga ato gazra që dalin nga automjetet, duhet të kujdesemi që edhe në kontrollin teknik të mos ketë automjete të tilla në Shkup, të cilat do të lëvizin para jush dhe do t’ju lëshojnë gazra të shkarkimit. Sa i përket asaj që do të duhej të përfshihej në ndërtimin e ndërtesave, që të mund të vendosen, për shembull, kalorimetra në hyrje të banesave, në funksion të kursimit të energjisë, aktualisht as ngrohja qendrore dhe as qytetarët nuk nxiten që ta bëjnë këtë me paratë e tyre, sepse mënyra e matjes është përshtatur në atë mënyrë që kjo të mund të matet”, tha MarijanaLonçar Velkova, organizata e konsumatorëve të Maqedonisë.

 “Konkluzionet kryesore për qytetarët janë përmirësimi dhe zgjerimi i ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit. Ndryshimi i sistemit të ngrohjes, siç janë kondicionerët inverterë dhe mënyrat e tjera të ngrohjes që shkaktojnë ndotje. Më pas, përmirësimi i transportit publik, përmirësimi i shtigjeve për biçikleta, si dhe masa të tjera për shtimin e gjelbërimit në qytetin e Shkupit”, tha Andrej Stojkovski.