Koçoska: Nuk kisha informacione nga guvernatori për Alta Bankën! Filipçe me përgënjeshtrim: Qeveria miratoi konkluzione me propozimin e vetë Koçoskës

Nuk kam pasur asnjë komunikim me guvernatorin Sllaveski dhe as nuk kam ditur se Alta Banka kishte zhvilluar negociata për të hyrë në vend, pretendon ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Sipas saj, pjesëmarrja e kësaj banke është e papërfillshme dhe për këtë arsye sektori bankar në vend është stabil. Ajo shton se shqetësimi i qytetarëve është i arsyeshëm, por, siç theksoi, nuk duhet të ketë panik, pasi në shtet ekziston një rregullativë përkatëse.

“Ne, si Ministri e Financave, nuk kemi pasur absolutisht asnjë komunikim dhe as nuk kemi ditur se kjo bankë ka zhvilluar negociata. Gjithashtu, nuk kemi ditur se cilat institucione dhe banka të tjera kanë qenë më parë të interesuara. Prandaj, me përgjegjësinë më të madhe pohoj se Ministria e Financave absolutisht nuk ka pasur asnjë komunikim me guvernatorin lidhur me këtë çështje.Në përputhje me rregullativën në vend dhe aktet nënligjore, nuk duhet të ketë fare vend për panik. Çdo depozitues i bankës duhet të jetë i qetë, sepse edhe nëse ndodh skenari më i keq, gjë që nuk besoj se do të ndodhë…”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska – ministre e Financave.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, pretendon se Koçoska nuk po e thotë të vërtetën dhe kërkon dorëheqjen e saj. Në profilin e tij në Facebook, ai publikoi edhe dokumente nga procesverbali i seancës së Qeverisë, të mbajtur më 23 shtator të vitit të kaluar, në të cilën ishte diskutuar për Alta Bankën dhe ku përmendet pikërisht edhe ministrja Koçoska.

“Gordana Dimitrieska-Koçoska duhet të japë dorëheqje, po gënjen për Alta Bankën. Prokuroria Themelore Publike duhet të hapë menjëherë hetim edhe ndaj Hristijan Mickoskit dhe Koçoskës. Të përfshihet edhe Prokuroria Evropiane, në mënyrë që të verifikohet rrjedha e të gjitha parave për Alta Bankën. Jo vetëm që ka qenë e informuar, por Qeveria e Mickoskit, pikërisht me propozimin e Koçoskës, ka miratuar konkluzione të lidhura drejtpërdrejt me ofertën për marrjen e aksioneve nga ana e Alta Bankës SHA Beograd në 16 institucione publike”, theksoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Filipçe dje akuzoi se kjo bankë është e lidhur me kriminalitet dhe transaksione të dyshimta, ndërsa Sllaveski dhe kryeministri Mickoski i bëri përgjegjës për shqetësimin e qytetarëve dhe radhët e krijuara para bankës.