Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, prezantoi rezultatet e vizitës së kirurgëve nga Qendra Mjekësore „Sheba” në Tel Aviv. Së bashku me ekipet mjekësore maqedonase, ata realizuan 24 ekzaminime specialistike dhe 16 operacione te personat e lënduar në tragjedinë në Koçan.Fokusi i ekipit izraelit ishte te shputat e duarve dhe gjymtyrët e sipërme, me qëllim të rikthimit të funksionit të tyre. Ndërhyrjet kirurgjikale përfshinë ekscizionin dhe revizionin e cikatriceve, lirimin e kontrakturave, Z-plastikën dhe transplantimin e lëkurës me trashësi të plotë.
Në konferencën për shtyp u drejtuan gjithashtu:
- dr. Moti Harac, drejtor i Qendrës Kombëtare për Trajtimin e Djegieve pranë Qendrës Mjekësore „Sheba”;
- dr. Jasmina Gjorgievska Pavlovska, drejtoreshë e Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive;
- dr. Katerina Mirçovska, drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit;
- dr. Gordana Georgieva, nga grupi punues i Ministrisë së Shëndetësisë.
-Autoritetet shëndetësore janë të angazhuara në kujdesin afatgjatë. Kujdesi për personat e lënduar në Koçan nuk përfundoi me trajtimin spitalor. Ai vazhdon përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, kontrolleve dhe rehabilitimit. I falënderoj kolegët nga Qendra Mjekësore „Sheba”. Dr. Harac dhe dr. Kanfino Kac ishin me ne edhe menjëherë pas tragjedisë, ndërsa tani janë kthyer sërish për të vazhduar të ofrojnë ndihmën e tyre”, deklaroi ministri Klekovski.
Janë operuar gjithsej 16 pacientë, 10 burra dhe 6 gra. Gjashtë operacione janë kryer në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive në Shkup, ndër të cilat pesë ndërhyrjet më komplekse, ndërsa dhjetë operacione janë kryer në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit.
Drejtoresha Gjorgievska Pavlovska theksoi se në Klinikë vazhdon ndjekja dhe monitorimi i pacientëve të operuar. Drejtoresha Mirçovska shtoi se dhjetë pacientët e operuar në Koçan do t’i vazhdojnë kontrollet mjekësore pranë vendbanimit të tyre.
Dr. Gordana Georgieva shpjegoi se grupi punues i Ministrisë koordinon të gjitha aktivitetet për përmbushjen e nevojave të personave të lënduar, duke filluar nga kategorizimi i lëndimeve e deri te hartimi i planit të rehabilitimit për secilin pacient.
-Kirurgët tanë punuan krah për krah me kolegët izraelitë. Pacientët përfituan nga ekspertiza e nivelit më të lartë, ndërsa mjekët tanë fituan përvojë e cila mbetet në vendin tonë. Grupi punues do të vazhdojë të koordinojë kujdesin për secilin person të lënduar, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, shtoi Klekovski.



