Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka marrë pjesë në mbledhjen e 26-të të Komitetit të Përbashkët Konsultativ ndërmjet Komitetit Evropian të Rajoneve dhe Maqedonisë së Veriut, e cila u mbajt në Shkup nën kryesimin e BNJVL-së.
Në këtë takim, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian dhe roli i pushtetit lokal, Limani theksoi rëndësinë e përforcimit të decentralizimit, veçanërisht atij fiskal, si dhe nevojën për financim të qëndrueshëm të komunave.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e sfidave me bllok-dotacionet në arsim, duke theksuar se komunat kanë nevojë për mbështetje më të madhe institucionale dhe financiare për të përmbushur përgjegjësitë e tyre.
Limani nënvizoi edhe rëndësinë e qasjes më të lehtë në fondet e Bashkimit Evropian dhe fuqizimit të kapaciteteve komunale për realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.
Sipas tij, komunat kanë një rol kyç në procesin e integrimit evropian, pasi janë ura lidhëse përmes së cilës standardet evropiane përkthehen në shërbime më cilësore për qytetarët.


