Ambasadori i Shqipërisë, Denion Mejdani, viziton Çashkën – dhuron Abetaren e Unifikuar dhe libra për shkollën “Liria”

Kryetari i Komunës së Çashkës, Suad Shaqiri, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, i shoqëruar nga drejtori i Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve.

Gjatë vizitës, delegacioni së bashku me kryetarin Shaqiri kanë vizituar shkollën fillore “Liria” në Jabollçisht të Epërm dhe të Poshtëm, ku ambasadori Mejdani ka dhuruar Abetaren e Unifikuar dhe libra për bibliotekën e shkollës.

Në kuadër të vizitës është zhvilluar edhe një bashkëbisedim me drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollës, ku janë shkëmbyer mendime lidhur me arsimin dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për nxënësit.

Kryetari i Komunës së Çashkës, Suad Shaqiri, ka falënderuar ambasadorin Mejdani dhe delegacionin për vizitën dhe kontributin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës, arsimit dhe identitetit kombëtar te brezat e ardhshëm.