Fëmijët e birësuar mund të kenë qasje në dosjet e origjinës, propozohet ndryshimi i ligjit për familjen

Një grup deputetësh ka propozuar ndryshime në Ligjin për Familjen, me të cilat personave të birësuar që kanë mbushur moshën madhore do t’u mundësohet qasje e kufizuar në dokumentet e birësimit.

Sipas propozimit, kërkesat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili do të vendosë se cilat informacione mund të bëhen të qasshme, duke respektuar njëkohësisht privatësinë dhe të dhënat personale të personave të tjerë.

Projektligji parasheh që edhe prindërit birësues të mund të marrin informacione për prejardhjen e fëmijës së mitur, në rastet kur ekzistojnë arsye të justifikuara mjekësore.

Qasje në këto të dhëna mund të kenë edhe të afërmit e gjakut të shkallës së parë dhe të dytë, por vetëm me pëlqimin paraprak dhe të shprehur të personit të birësuar.

Nismëtarët e ndryshimeve i referohen edhe vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin „Mitrevska kundër Maqedonisë së Veriut“, të vitit 2024, me të cilin ishte konstatuar shkelje e së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare.
Propozimi nuk parasheh hapjen automatike të dosjeve të birësimit, por shqyrtimin individual të çdo kërkese nga komisioni përkatës.