BRUKSELI NGRIT ALARMIN: Gazetarët në Maqedoninë e Veriut përballen me kërcënime, presion politik dhe dhunë online!

Komisioni Evropian, në raportin e tij të vitit 2026 për Maqedoninë e Veriut, evidenton shqetësime serioze lidhur me gjendjen e lirisë së mediave dhe sigurinë e gazetarëve në vend.

Në raport theksohet se gazetarët vazhdojnë të përballen me presion nga aktorë politikë, kërcënime dhe sulme në hapësirën online, duke ngritur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gazetarisë.

Komisioni Evropian vë në pah edhe problemin e padive SLAPP, të cilat mund të përdoren për të frikësuar gazetarët, për t’i detyruar të heshtin dhe për të penguar raportimin kritik ndaj pushtetit.

Një tjetër çështje shqetësuese mbetet gjendja ekonomike e mediave, si dhe rreziku që financimi dhe reklamat shtetërore të ndikojnë në pavarësinë editoriale dhe pluralizmin mediatik.

Raporti rikthen në vëmendje një çështje thelbësore: gazetaria e lirë nuk mund të ekzistojë aty ku gazetarët kërcënohen, ushtrohet presion ndaj tyre dhe mediat përballen me pengesa për të kryer punën e tyre.

Konstatimet e Komisionit Evropian janë një sinjal për institucionet e Maqedonisë së Veriut se mbrojtja e gazetarëve, hetimi i kërcënimeve dhe garantimi i pavarësisë së mediave duhet të jenë përgjegjësi konkrete dhe jo vetëm zotime në letër.