Vendet anëtare të NATO-s po përgatiten për skenarin më të keq në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, që zhvillohen të martën.
Aleatët evropianë druhen se një humbje e republikanëve mund ta shtyjë presidentin Donald Trump të intensifikojë ndjeshëm sulmet e tij ndaj aleancës, sipas pesë diplomatëve të NATO-s, të cilëve u është garantuar anonimiteti për të folur lirshëm mbi këtë çështje delikate, raporton Politico.
Shqetësimi i tyre është se, nëse Kongresi e kufizon Trumpin në politikat e brendshme, ai, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-së, mund të përpiqet të sigurojë trashëgiminë e tij politike në politikën e jashtme, ku ka më shumë liri veprimi.
Kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e mijëra trupave të tjera amerikane nga Evropa, thanë tre prej diplomatëve.
Zakonisht, ajo që ndodh me presidentët në fund të mandatit është një kombinim i shfryrjes së pakënaqësive dhe aventurizmit në politikën e jashtme”, tha një zyrtar i lartë evropian i mbrojtjes. Sulmi ndaj NATO-s, shtoi ai, “duket se është një pjesë e qëndrueshme e botëkuptimit të Trumpit”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja ndihmëse për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, i tha POLITICO-s se “Presidenti Trump ka bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër”.
Ajo përmendi si arritje të tij sigurimin e marrëveshjeve me aleatët për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, forcimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, si dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së gjithanshme të Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë, sipas saj, Trump “mbetet i vendosur se aleatët tanë të NATO-s duhet të kishin qenë në krah të Shteteve të Bashkuara” gjatë luftës në Iran.
“Presidenti nuk do ta pranojë kurrë rënien e kontrolluar të Perëndimit dhe do të vazhdojë të mbrojë pa asnjë ndjesë interesat tona, brenda dhe jashtë vendit”, shtoi Wales.
Demokratët pritet gjerësisht të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mundësisht të marrin kontrollin edhe të Senatit, ndërsa niveli i miratimit publik për Trumpin ka rënë në pikën më të ulët të regjistruar deri më tani.


