Afrim Gashi mirëpret 10 vullnetarë në Kuvend: Do të angazhohen për gjashtë muaj në institucion

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka mirëpritur dhjetë vullnetarë që i janë bashkuar Programit të Vullnetarizmit në Kuvend.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, vullnetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me punën e institucionit, të fitojnë përvojë praktike, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë me ide të reja.

Gashi tha se ky është një nga programet për të cilat ndihet veçanërisht krenar, pasi u krijon të rinjve mundësi që të bëhen pjesë aktive e institucionit dhe e proceseve që formësojnë të ardhmen e vendit.

“Me kënaqësi të veçantë takova dhe u urova mirëseardhje dhjetë vullnetarëve që i janë bashkuar Programit të Vullnetarizmit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, përmes angazhimit dhe mbështetjes së shërbimit të Kuvendit, ata do të kenë mundësinë të njihen nga afër me punën e Kuvendit, të fitojnë përvojë praktike, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë me idetë dhe perspektivën e tyre.

Ky është një nga programet për të cilat ndihem veçanërisht krenar, sepse krijon hapësirë reale për rininë, duke u dhënë mundësi dhe besim të bëhen pjesë aktive e institucionit dhe e proceseve që formësojnë të ardhmen e vendit.

Besoj se njohuritë e fituara dhe profesionalizmi i kultivuar gjatë këtij angazhimi do të jenë një vlerë e rëndësishme për zhvillimin dhe rrugëtimin e tyre të ardhshëm profesional”, ka shkruar Gashi.