Universiteti i Tetovës e ka shpallur afatin e dytë të konkursit për regjistrimin e studentëve në ciklin
e dytë të studimeve për vitin akademik 2026/2027. Kandidatët e interesuar do të kenë mundësi të
aplikojnë nga 27 tetori deri më 6 nëntor 2026, për të vazhduar studimet pasuniversitare në një nga
programet e shumta studimore që ofron universiteti.
Në këtë afat të dytë janë paraparë gjithsej 1965 vende për studentë, në programe të ndryshme
studimore të organizuara në disa fakultete të Universitetit të Tetovës. Kandidatët mund të zgjedhin
studime njëvjeçare me 60 ECTS ose dyvjeçare me 120 ECTS, në varësi të programit përkatës.
Sipas kalendarit të konkursit, rezultatet preliminare do të shpallen më 9 nëntor 2026, ndërsa
vendimi për pranimin e kandidatëve do të publikohet më 10 nëntor. Regjistrimi i kandidatëve të
pranuar do të realizohet nga 10 deri më 13 nëntor 2026.
Aplikimi bëhet online përmes platformës: www.apply.unite.edu.mk , ndërsa dokumentet e
nevojshme duhet të dorëzohen në administratën e Universitetit brenda afatit të përcaktuar.
Kandidatët e interesuar duhet t’i plotësojnë kushtet dhe kriteret e konkursit, si dhe dokumentacionin
e nevojshëm për aplikim dhe regjistrim.
Për informacione më të hollësishme mbi programet studimore, numrin e vendeve dhe kriteret e
konkurrimit, konkursi i plotë mund të shkarkohet në ueb-faqen zyrtare të Universitetit të
Tetovës: www.unite.edu.mk .
Universiteti i Tetovës i fton të gjithë kandidatët e interesuar që ta shfrytëzojnë këtë afat të dytë për
të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik dhe për t’i avancuar njohuritë dhe kompetencat profesionale
në fushat përkatëse.


