Mexhiti: Të punësuarit me kontrata të përkohshme duhet të kenë siguri në punë, jo presion partiak

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka deklaruar se nëpunësit e administratës publike nuk duhet të jenë në shërbim të partive politike, duke theksuar nevojën për siguri në punë për mijëra të punësuar me kontrata të përkohshme.

Përmes një postimi, Mexhiti bëri të ditur se me projektligjin e propozuar nga deputetët e VLEN-it synohet që të punësuarit që i plotësojnë kushtet të pajisen me vendime për marrëdhënie pune me afat të pacaktuar.

Sipas tij, miratimi dhe zbatimi i këtij propozimi do të adresojë një problem të trashëguar ndër vite dhe do të krijojë më shumë siguri për punonjësit dhe familjet e tyre.

“Vendi i punës nuk është privilegj partiak dhe paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se puna dhe të ardhurat e familjes së tij varen nga vullneti i një partie”, theksoi Mexhiti.

Ai gjithashtu rikujtoi angazhimin për zgjidhjen e statusit të të punësuarve në shëndetësi, duke nënvizuar se VLEN do të angazhohet edhe për miratimin dhe zbatimin e përpiktë të këtij propozimi.

Në përfundim, Mexhiti theksoi se synimi i politikave të VLEN-it është zgjidhja e problemeve konkrete të qytetarëve, krijimi i vendeve të sigurta të punës dhe garantimi i dinjitetit të punonjësve, pa presion apo ndikim partiak.