Rregulla të reja për hyrjen në Mal të Zi nga 1 nëntori, ja çfarë duhet të dinë qytetarët e Maqedonisë

Qeveria e Malit të Zi, në një seancë telefonike, miratoi një rregullore të re për regjimin e vizave, me të cilën përcaktohen kushtet për hyrjen, tranzitin dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në këtë vend.

Rregullorja do të fillojë të zbatohet më 1 nëntor 2026, ndërsa do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në „Fletoren Zyrtare të Malit të Zi“.

Sipas tekstit të rregullores, shtetasit e shumë vendeve do të mund të hyjnë në Mal të Zi, të kalojnë transit nëpër territorin e tij dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë pa vizë, me dokument udhëtimi të vlefshëm.

Në mesin e tyre janë shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe shumë vendeve të tjera, njofton Radio-Televizioni i Malit të Zi (RTCG).

Pa vizë, deri në 90 ditë, do të mund të qëndrojnë edhe personat që posedojnë dokumente të vlefshme udhëtimi nga rajonet e posaçme administrative të Kinës, Hong Kongut dhe Makaos, si dhe nga disa territore përtej detit të Mbretërisë së Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mundësi vlen edhe për personat që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara për Tajvanin, në përputhje me kushtet e përcaktuara në rregullore.

Rregullorja e re ruan mundësinë e hyrjes në Mal të Zi me letërnjoftim të vlefshëm për shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Maqedonisë, Monakos, Norvegjisë, San Marinos, Serbisë, Selisë së Shenjtë dhe Zvicrës.

Shtetasit e këtyre vendeve do të mund të hyjnë në Mal të Zi, të kalojnë transit dhe të qëndrojnë në vend deri në 30 ditë pa vizë, duke paraqitur letërnjoftim të vlefshëm.

Regjim i veçantë është përcaktuar edhe për shtetasit e Perusë, të cilët do të mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë me dokument udhëtimi të vlefshëm, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar për udhëtimin e ndërsjellë të shtetasve.

Rregullorja parasheh që në Mal të Zi, pa pasur nevojë për vizë të posaçme malazeze, do të mund të hyjnë edhe të huajt që posedojnë dokument udhëtimi të vlefshëm dhe vizë të vlefshme të zonës Shengen, si dhe vizë nga Australia, Japonia, Kanadaja, Zelanda e Re, Irlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Mbretëria e Bashkuar.

Këtyre personave u lejohet qëndrimi deri në 30 ditë, ose për një periudhë më të shkurtër nëse viza u skadon më herët.

I njëjti rregull vlen edhe për kategori të caktuara të huajsh që posedojnë leje qëndrimi në shtetet dhe territoret e përmendura.

Në këto raste, qëndrimi në Mal të Zi mund të zgjasë më së shumti 30 ditë, ose deri në skadimin e lejes së qëndrimit nëse ajo është e vlefshme për një periudhë më të shkurtër.

Me rregullore është saktësuar se këto mundësi vlejnë për personat që posedojnë dokumente përkatëse të vlefshme udhëtimi dhe viza, përkatësisht leje qëndrimi.

Rregullorja e re e përcakton edhe hyrjen e të huajve që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara nga Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tyre të specializuara.

Ata do të mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 90 ditë pa vizë.

Janë paraparë edhe kushte të veçanta për refugjatët, personat pa shtetësi, mbajtësit e dokumenteve të posaçme të udhëtimit për të huajt, si dhe për personelin diplomatik dhe zyrtar.

Për kategori të caktuara personash që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara në bazë të konventave për statusin e refugjatëve dhe personave pa shtetësi, si dhe dokumente të posaçme udhëtimi për të huajt, lejohet qëndrimi deri në 30 ditë pa vizë.

Diplomatët dhe zyrtarët nga shtetet me të cilat Mali i Zi ka lidhur marrëveshje dypalëshe do të udhëtojnë në përputhje me dispozitat e këtyre marrëveshjeve.

Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, dokumenti i mëparshëm për regjimin e vizave pushon së vlejturi.