Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe e mbrojtësit të akuzuarit Hysri Selimi, avokat Ali Beka, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.55/2025 i datës 15.06.2026, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 23 tetor 2026.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale për shkak të shkeljeve esenciale te dispozitave te procedurës penale dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe t’i shqiptojë dënim më të lartë me burgim Selimit.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokat Ali Beka parashtroi ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Beka kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe që i akuzuari të lirohet nga akuza, ose që rasti të kthehet në rigjykim. Po ashtu, avokati kishte parashtruar edhe përgjigje në ankesën e PSRK-së.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Hysri Selimi, të refuzohet si e pabazuar.
Seanca e kolegjit të Apelit ku u elaboruan ankesat, u mbajt më 7 tetor 2026.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e saj.
Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe nuk ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe vendimit mbi gjykimin e të akuzuarit.
Shkalla e dytë thekson se atgjykimi i ankimuar është hartuar siç e detyron dispozita e nenit 369 të Kodit të Procedurës Penale, ashtu që arsyet që i ka dhënë gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit nuk janë në kundërshtim me përmbajtjen e shkresave të lëndës dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Shkalla e dytë thekson se nga provat e administruara rrjedh se ishte pikërisht AKI që e kishte ndihmuar hetimin ndaj të akuzuarit për veprën për të cilën akuzohet.
Apeli konstaton se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari ka qenë në komunikim me zyrtarët e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA, dhe ka ndarë informacione të ndryshme lidhur me aktivitetet e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, për personat e radikalizuar, pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri.
“Gjithashtu është bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS pasi që kishte udhëtuar për në Siri, me mision të caktuar nga BIA, që ti informoj me numrin e pjesëmarrësve shqiptar në ISIS. Edhe pas vuajtjes së dënimit lidhur me pjesëmarrjen e tij në organizata terroriste, kishte vazhduar komunikimet me pjesëtarët e BIA-së dhe ishte takuar vazhdimisht me ta në territorin e Republikës së Serbisë”, thuhet në vendim.
Për këtë, thuhet që i akuzuari ishte paguar deri në 700 euro në muaj, si dhe ishte furnizuar me telefona të mençur nga BIA, me të cilët kishte komunikuar me zyrtarët e BIA-së.
Sipas Apelit, pretendimi i mbrojtjes se i akuzuari që nga kthimi nga Siria ka vepruar në koordinim me personat përgjegjës të AKI dhe se të gjitha veprimet që i ka ndërmarr sipas udhëzimeve të tyre, është pretendim i pabazuar në asnjë prove.
“Nga shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë që dëshmon se i akuzuari ka qenë i rekrutuar nga AKI, por që hetimet ndaj të akuzuarit kishin filluar pasi që AKI e kishte paraqitur në polici të akuzuarin dhe kishte filluar vëzhgimi i tij për derisa takohej dhe komunikonte me zyrtarët e BIA-së”, vlerëson Apeli.
Në deklaratën e dhënë në Prokurori, thuhet se i akuzuari nuk e kishte theksuar në asnjë moment se ka bashkëpunuar me AKI, apo ndonjë pseudonim të ndonjë personi që ka bashkëpunuar apo që ka qenë i udhëzuar nga ta, për të ndërmarrë veprimet inkriminuese për të cilat është akuzuar.
Apeli thotë se i akuzuari kishte bashkëpunuar me Prokurorinë dhe kishte pranuar të gjithë bashkëpunimin e tij me BIA-në serbe përgjatë viteve, kishte pranuar secilin veprim të tij, pagesat që i ka pranuar dhe kishte shprehur pendim për veprimet e tij. Por, në asnjë pjesë të deklarimit nuk ka theksuar se ka qenë i udhëzuar nga AKI që t’i ndërmarrë ato veprime.
Më tej, në vendim thuhet se vepra penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor – spiunazhi, nuk kërkon ndarjen e informatave të klasifikuara, por vetëm hyrjen në shërbimin informativ të huaj, mbledhjen e të dhënave apo në ndonjë mënyrë tjetër të ndihmojë punën e shërbimit të tillë, e që në rastin konkret janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale me vetë hyrjen dhe ndarjen e informatave që i kanë kërkuar, duke vepruar sipas udhëzimeve të tyre dhe duke ndihmuar BIA-n.


