Maqedonia e Veriut dhe ONP-ja nënshkruan Programin Kombëtar për Punë të Denjë 2026–2030

Sot, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizatat e punëdhënësve,
sindikatat dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP) nënshkruan Programin Kombëtar për Punë të
Denjë për periudhën 2026–2030, duke konfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për rritje ekonomike
gjithëpërfshirëse, vende pune cilësore dhe produktive, si dhe institucione më të fuqishme në tregun e
punës.
“Me nënshkrimin e Programit Kombëtar për Punë të Denjë 2026–2030, konfirmojmë përkushtimin tonë
për krijimin e vendeve të punës më cilësore, më të paguara dhe më të sigurta. Prioritetet tona janë
avancimi i të drejtave të punëtorëve, zhvillimi i aftësive në përputhje me nevojat e tregut të punës,
përfshirja më e madhe e të rinjve dhe grave, si dhe zvogëlimi i ekonomisë joformale. Në partneritet me
Organizatën Ndërkombëtare të Punës dhe partnerët socialë, vazhdojmë me reformat për kushte më të
mira të punës dhe një ekonomi më të fuqishme. Suksesin e këtij programi do ta masim përmes
përmirësimeve konkrete që do t’i ndiejnë punëtorët dhe kompanitë, sepse qëllimi ynë është që puna e
denjë të bëhet realitet për çdo qytetar”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
I hartuar përmes konsultimeve trepalëshe, Programi siguron një kornizë bashkëpunimi ndërmjet ONP-së
dhe përfaqësuesve të saj trepalësh në Maqedoninë e Veriut. Ai është në përputhje me Kornizën e
Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm (UNSDCF) 2026–2030, duke
kontribuar në realizimin e prioritetit të saj strategjik për ekonomi të qëndrueshme dhe punë të denjë.
Programi gjithashtu ndërlidh reformat e tregut të punës me agjendën më të gjerë të vendit për zhvillim
të qëndrueshëm dhe me objektivat e integrimit evropian.
“Përmes përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët, mund të ndërtojmë një treg pune më
gjithëpërfshirës, më produktiv dhe më rezistent. Duke punuar së bashku, mund të krijojmë vende pune
cilësore, të forcojmë institucionet e tregut të punës, të mbështesim zhvillimin e ndërmarrjeve të
qëndrueshme dhe të realizojmë parimet dhe të drejtat themelore në punë”, deklaroi Claire Harasty,
drejtoreshë e ONP-së për Evropën Qendrore dhe Lindore.
Bota e punës në Maqedoninë e Veriut po ndryshon. Megjithëse vendi shënon përparim të vazhdueshëm
në zhvillimin socio-ekonomik, mungesa e fuqisë punëtore, ndryshimet demografike dhe emigrimi,
mospërputhja ndërmjet ofertës dhe kërkesës për aftësi, pjesëmarrja e ulët e grave dhe të rinjve në
tregun e punës, puna joformale dhe produktiviteti i kufizuar vazhdojnë të paraqesin sfida të
rëndësishme.
Programi i ri Kombëtar për Punë të Denjë u përgjigjet këtyre sfidave dhe fokusohet në tri fusha
prioritare:
Krijimi i një mjedisi ekonomik mundësues, përmes harmonizimit të legjislacionit të punës dhe
legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, avancimit të dialogut social dhe negociatave kolektive,
si dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme produktive, konkurruese, inovative dhe të
qëndrueshme.

Avancimi i arsimit profesional dhe zhvillimit të aftësive, përmes përmirësimit të sistemeve të arsimit
profesional, trajnimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, me qëllim që ato t’u përgjigjen më mirë
nevojave të tregut të punës.
Fuqizimi ekonomik i grave, përmes promovimit të mundësive të barabarta dhe eliminimit të pengesave
për pjesëmarrje në tregun e punës, duke përfshirë përgjegjësitë e përkujdesjes ndaj personave të tjerë,
hendekun gjinor në paga, si dhe dhunën dhe ngacmimin në vendin e punës.