Arbenita Meta: Hapet zyrtarisht edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026 në Kodrën e Diellit

Drejtoresha e Galerisë së Arteve në Tetovë, Arbenita Meta sot ka hapur edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026 në Kodrën e Diellit ndërsa sipas saj Kolonia Ndërkombëtare Artistike mbahet nga 22 deri më 26 tetor 2026 në hapsirat e Hotel Scardus, shkruan Top24
Hapet zyrtarisht edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026 në Kodrën e Diellit
Sot, mes ngjyrave, ideve dhe emocioneve të shumta, u hap zyrtarisht edicioni i 17-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026, në ambientet e Hotelit “Scardus” në Kodrën e Diellit. Ky aktivitet organizohet nga I.N. Galeria e Arteve – Tetovë, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Prej 17 vitesh radhazi, kjo ngjarje përfaqëson një pikëtakim të rëndësishëm të artit, kulturës dhe miqësisë. Këtë vit, ajo bashkoi 15 artistë nga Italia, Gjermania, Turqia, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Hapja u zhvillua në praninë e artistëve pjesëmarrës dhe artdashësve, të cilët u bënë pjesë e një mbrëmjeje të veçantë kulturore, të mbushur me art, bashkëbisedim dhe frymëzim.
U.D. drejtoresha e Galerisë së Arteve – Tetovë, znj. Arbenita Meta, falënderoi artistët për pranimin e ftesës dhe pjesëmarrjen në këtë koloni, si dhe përkushtimin e treguar gjatë këtyre ditëve në krijimin e veprave artistike mbresëlënëse.
Meta theksoi rëndësinë e kësaj kolonie për zhvillimin e artit dhe pasurimin e fondit të Galerisë së Arteve – Tetovë me vepra të reja. Ajo vlerësoi se aktivitete të tilla u ofrojnë artistëve mundësinë të krijojnë të frymëzuar nga natyra, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi. Gjithashtu, nënvizoi se Galeria e Arteve – Tetovë do të vazhdojë të mbështesë artistët dhe të krijojë hapësira për iniciativa që e afrojnë artin me publikun.
Në hapje, të pranishmëve iu drejtua edhe kuratori këshilltar i Galerisë së Arteve, z. Behar Ferati, i cili foli për idenë dhe konceptin e punës së kolonisë, si dhe për mesazhet që artistët përcjellin përmes krijimtarisë së tyre.
Kolonia Ndërkombëtare Artistike mbahet nga 22 deri më 26 tetor dhe synon të krijojë një hapësirë ku artistët mund të punojnë lirshëm, larg ritmit të përditshëm, në mjedisin e veçantë dhe të qetë të Kodrës së Diellit.
Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit do të realizojnë vepra të reja dhe do të shkëmbejnë ide, përvoja dhe teknika të ndryshme artistike. Ndërkohë, artdashësit janë të ftuar të ndjekin nga afër procesin krijues, të bashkëbisedojnë me artistët dhe të përjetojnë momentet kur lindin veprat e reja të artit.
Punimet e krijuara gjatë kolonisë do të mbeten dëshmi e një përvoje të përbashkët artistike dhe një kontribut i çmuar për skenën artistike vendase.
Artistët pjesëmarrës shprehën kënaqësinë dhe mirënjohjen e tyre për mikpritjen e ngrohtë dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij aktiviteti.
Galeria e Arteve – Tetovë shpreh falënderime të veçanta për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e dhënë, e cila është thelbësore për realizimin e këtij projekti.
Falënderime të sinqerta shkojnë edhe për sponsorët Tikveš, Parajsa e Sharrit, Lisec dhe Forum, kontributi i të cilëve është i rëndësishëm për organizimin dhe realizimin me sukses të kolonisë.
Përmes këtij projekti, Galeria e Arteve – Tetovë vijon angazhimin e saj në promovimin e artit bashkëkohor, nxitjen e krijimtarisë artistike dhe pasurimin e jetës kulturore në Tetovë dhe më gjerë.