Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se shkeljet e përditshme të armëpushimit në Gaza nga Izraeli minojnë besimin në sistemin ndërkombëtar dhe krijojnë një atmosferë mosbesimi, raporton Anadolu.
Duke folur në hapjen e Konferencës së 9-të të Stambollit për Ndërmjetësimin në Stamboll, Fidan tha se pushtimi në Gaza dhe në Bregun Perëndimor vazhdon dhe se Izraeli nuk po mbahet përgjegjës për veprimet e tij.
Ai theksoi se garantimi i qasjes në ndihmat humanitare dhe në veçanti mbrojtja e fëmijëve duhet të jenë përparësi, duke përsëritur se konflikti izraelito-palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes një “zgjidhjeje politike të drejtë”.
Fidan shpjegoi se përpjekjet e Turqisë për ndërmjetësim bazohen në “pëlqimin e palëve, besimin e ndërsjellë dhe gjithëpërfshirjen”.
“Për shembull, përpjekjet e Turqisë në Libi tregojnë se si pëlqimi, besimi i ndërsjellë dhe gjithëpërfshirja mund të ndërtojnë besim”, tha ai.
“Ne zhvillojmë dialog të orientuar drejt rezultateve në Libi me të gjitha palët, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, si dhe me partnerët ndërkombëtarë”, shtoi ai.
Ai theksoi se një proces i udhëhequr nga vetë libianët dhe i bazuar në dialog të sinqertë është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.
“Kanalet e komunikimit duhet të mbeten të hapura dhe dialogu duhet të vazhdojë edhe kur përparimi është i ngadaltë dhe i brishtë”, tha ai, duke shtuar se kjo qasje ka udhëhequr përpjekjet e Turqisë, përfshirë bisedimet Rusi-Ukrainë, nismën për marrëveshjen e drithërave në Detin e Zi, si dhe procesin e Ankarasë mes Somalisë dhe Etiopisë.
Duke folur për marrëveshjen e mbrojtjes të nënshkruar së fundmi në Mekë, një pakt mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite, Fidan tha se “aleanca e Mekës synon të garantojë paqen, prosperitetin dhe të ardhmen e rajonit”.
“Mbështetja e saj në përgjegjësinë rajonale u jep këtyre përpjekjeve më shumë mundësi për sukses”, theksoi ai.
“Gjithashtu, Platforma e Paqes në Ballkan, e cila bazohet në përgjegjësinë rajonale, mund ta shndërrojë dialogun e sinqertë mes vendeve të Ballkanit në rezultate konkrete”, tha kryediplomati turk.
Fidan theksoi se Turqia ka punuar vazhdimisht për ta ngritur ndërmjetësimin nga një instrument diplomatik në një disiplinë strategjike dhe ka ndërtuar strukturat institucionale përkatëse për të përmbushur këtë synim.
“Ne nuk synojmë të imponojmë rezultate, por të krijojmë kushtet në të cilat palët mund t’i arrijnë ato vetë. Sepse ndërmjetësimi nuk ka të bëjë me vendosjen se kush fiton, kush humbet apo kush bën lëshime. Ai ka të bëjë me gjetjen e pikave të përbashkëta dhe punën drejt një zgjidhjeje ku fitojnë të gjitha palët”, tha ai.
Ministri turk gjithashtu tha se përvoja e Turqisë, e bazuar në dialog të sinqertë, angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi rajonale, tregon se si kjo qasje mund të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale.


