Ish-deputeti Gani Geci është liruar nga masa e paraburgimit, sipas konfirmimit të dhënë nga avokati i tij, Besnik Berisha. Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore pas kërkesës së vetë Prokurorisë për ndërprerjen e kësaj mase.
Më parë gjatë të njëjtës ditë, Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën për anulimin e vendimit të shkallës së parë të datës 14 tetor 2026, i cili caktonte paraburgimin. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Geci kishte qenë i shtrirë në Spitalin Rajonal të Pejës që nga data 21 tetor.
Masa e paraburgimit ndaj tij ishte caktuar pas dyshimeve të ngritura nga Prokuroria se më 11 tetor 2026 kishte kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj me qëllim që ta detyronte të hiqte ose ndryshonte përmbajtjen e një postimi në rrjetin social Facebook. Sipas dosjes së prokurorisë, Geci i kishte drejtuar gazetarit fjalë kërcënuese për përleshje, ndërsa një ditë më pas, më 12 tetor, kishte shkuar afër televizionit “TV Dukagjini” dhe kishte publikuar një video në TikTok për të treguar se e kishte pritur atje për rreth dy orë. Në kërkesën e mëparshme për paraburgim vërehej gjithashtu se kamerat e sigurisë në zyrat e portalit “VOX Kosova” kishin qenë jashtë funksionit gjatë asaj periudhe.


