Ish-presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka dërguar një urim me rastin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, duke porositur se uniteti, këmbëngulja dhe qëllimi i përbashkët janë themelet mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e shtetit.
Ivanov kujtoi se me themelimin e Organizatës Revolucionare Maqedonase në vitin 1893, gjashtë themeluesit e saj vendosën bazat për realizimin e aspiratës shekullore për një Maqedoni të lirë.
“Me themelimin e Organizatës Revolucionare Maqedonase, më 23 Tetor 1893, nga gjashtë veprimtarët maqedonas, Haxhi Nikollov, Pop Arsov, Gruev, Tatarçev, Dimitrov dhe Batanxhiev, u realizua një vizion, një qëllim i vetëm për përmbushjen e ëndrrës shekullore për një Maqedoni të lirë”, theksoi Ivanov. Ai nënvizoi se organizata revolucionare ishte frymëzuar nga idealet liridashëse dhe se kishte bashkuar njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore, bashkësi fetare dhe etnike, si dhe nga orientime të ndryshme politike, me një qëllim të përbashkët për liri politike dhe shoqërore.
Sipas Ivanovit, sakrificat, vendosmëria e palëkundur dhe heroizmi i pjesëmarrësve në luftën revolucionare maqedonase përbëjnë një testament për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
“Duke festuar ditën e gjashtë themeluesve të idesë për një Maqedoni të lirë, sovrane dhe demokratike, ne kujtojmë thelbin e kësaj feste të ndritur. E ai është se vetëm kur jemi të bashkuar, këmbëngulës dhe të vendosur në vendimet tona, gjithmonë fitojmë”, porositi ish-presidenti. Ivanov theksoi se çdo brez ka betejën dhe aspiratën e vet, ndërsa detyra e sotme është krijimi i kushteve më të mira për jetesë në Maqedoni.
“Sot ne, si pasues të paraardhësve tanë, duke respektuar realitetin historik, duhet të krijojmë të ardhme për pasardhësit tanë. Çdo brez ka betejën dhe aspiratën e vet. Aspirata jonë është drejt një jete më të mirë dhe më dinjitoze, këtu, në Republikën e Maqedonisë”, tha Ivanov.
Urimin e tij e përmbylli me mesazhin:
“Gëzuar festa e 23 Tetorit, Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase! Rroftë Republika e Maqedonisë!


