Levica: Në kulmin e sezonit të ngrohjes, MEPSO kërkon tarifë pothuajse dyfish më të lartë

Partia Levica kërkon që Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) të veprojë si rregullator dhe jo si shërbim i monopoleve energjetike. Sipas partisë, MEPSO kërkon rritjen e tarifës për transmetimin e energjisë elektrike me gati 100 për qind, transmeton Zhurnal.mk.

Në kulmin e sezonit të ngrohjes, MEPSO kërkon rritje të ndjeshme të tarifës për transmetimin e energjisë elektrike, ka reaguar partia Levica.

Sipas kumtesës së kësaj partie, MEPSO ka kërkuar që tarifa për transmetimin e energjisë elektrike të rritet me gati 100 për qind. Njëkohësisht, për vitin 2027, kompania kërkon të ardhura të rregulluara prej rreth 3 miliardë denarësh, krahasuar me gati 2 miliardë denarë të miratuara për vitin 2026.

Levica thekson se kjo kërkesë vjen pavarësisht faktit se, sipas përllogaritjeve, parashikohet një sasi më e vogël e energjisë elektrike që do të kalojë nëpër rrjetin e transmetimit.

“Për ndryshim, kërkojmë që KRRE-ja të jetë rregullator dhe jo shërbim për monopolet energjetike”, thuhet në reagimin e partisë.

Levica rikujton gjithashtu se ngrohja qendrore tashmë është shtrenjtuar për 5 për qind në janar, ndërsa nga gushti pasoi një rritje shtesë prej gati 6 për qind.

Sipas partisë, nëse kërkesa e re miratohet, qytetarët do të përballen me një shtrenjtim të tretë brenda një viti. Kjo, sipas Levicës, do të krijonte pasiguri të re për familjet, veçanërisht në periudhën kur ato duhet të planifikojnë shpenzimet për ngrohje gjatë dimrit.

“Familja duhet të ngrohet, pavarësisht se sa bukur do të paketohet arsyetimi për shtrenjtimin”, thuhet në fund të kumtesës së Levicës.