Këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, deklaroi se palët po shqyrtojnë mundësinë e një takimi trepalësh në mesin e nëntorit…
Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina mund të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh trepalëshe në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë muajit nëntor.
Këtë mundësi e bëri të ditur këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, gjatë një deklarate për televizionin shtetëror rus Vesti.
“Po shqyrtojmë mundësinë e Abu Dhabit. Marrëveshja do të arrihej diku nga mesi i nëntorit”, deklaroi Ushakov, duke iu referuar organizimit të mundshëm të takimit.
Zyrtari rus u shpreh gjithashtu optimist për perspektivën e përfundimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas tij, lufta po i afrohet fundit, megjithëse mbetet e vështirë të përcaktohet se sa pranë është arritja e një rezultati të tillë.
Deklaratat e Ushakov sinjalizojnë mundësinë e vazhdimit të kontakteve diplomatike mes Moskës, Uashingtonit dhe Kievit. Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike prej tij, palët ende nuk kanë konfirmuar përfundimisht datën dhe vendin e raundit të ardhshëm të bisedimeve.


