Valbon Limani në Forumin Rajonal për Lidershipin Lokal: Fuqizimi i të rinjve, çelësi për një rajon më paqësor

Valbon Limani prezanton përvojat e Gostivarit për fuqizimin e të rinjve në Forumin Rajonal në Shkup

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka marrë pjesë si panelist në Forumin Rajonal për Lidershipin Lokal, të mbajtur në Shkup, ku tema qendrore ishte “Rinia, paqja dhe siguria fillojnë në shtëpi”.

Gjatë forumit, Limani prezantoi përvojat dhe praktikat e Komunës së Gostivarit në fuqizimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete për pjesëmarrjen aktive të rinisë në jetën publike.

Ai theksoi mekanizmat dhe iniciativat e ndërmarra nga komuna, përfshirë Këshillin Lokal të të Rinjve, Strategjinë Lokale Rinore 2024–2028, si dhe hapësirat rinore që synojnë zhvillimin e aftësive, nxitjen e bashkëpunimit dhe realizimin e ideve të të rinjve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit për paqe, pjesëmarrjes së të rinjve në hartimin e politikave lokale dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave. Në këtë kontekst, Limani veçoi edhe partneritetin ndërmjet Gostivarit dhe Gjakovës, si një mundësi për të krijuar perspektiva të reja për të rinjtë dhe qytetarët e të dy komunave.

Pjesëmarrja në këtë forum ishte një mundësi për të ndarë përvojat e Gostivarit dhe për të theksuar se investimi te të rinjtë, dëgjimi i zërit të tyre dhe përfshirja në vendimmarrje janë hapa thelbësorë drejt ndërtimit të komuniteteve më gjithëpërfshirëse, më të sigurta dhe të një rajoni më paqësor.