Studentët shqiptarë do të dalin në protestë, pasi e hedhin poshtë ofertën e ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari për modelin gjuhësor të provimit të jurisprudencës i cili parashikon që teoria të jepet në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Gjatë takimit konsultativ me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore të Universitetit “Nënë Tereza”, studentët janë shprehur se propozimin që e ka ofruar Shasivari, në vend zgjidhjes, përbën shkelje ligjore.
“Ashtu siç thamë edhe ne pas pres konferencës pas takimit, njëjtë edhe disponimi te studentët është që nuk ka nevojë të thyhet ligji, provimi i jurisprudencës garantohet me ligj dhe Kushtetutë. Duhet të bëhet 100% në gjuhën shqipe, nuk ka nevojë të shkojmë me përqindje, 84, 50 apo çfarëdo që mendon ministri”, tha Besar Sejdi, Kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”.
“Unë jam i gatshëm për protestë kurdoherë që ministri na refuzon kërkesën tonë për t’u bërë 100% shqip”, shtoi Sejdi.
“Ministri thotë se gjykata dhe proceset gjyqësore, gjuha juridike e gjykatave është gjuha maqedonase që nuk është e vërtetë, gjuha juridike e gjykatave është edhe gjuha shqipe dhe prandaj ne qëndrim në qëndrimet tona parimet tona që i kemi mbajtur gjithmonë se provimi i jurisprudencës dhe jo vetëm po ligji për gjuhët dhe kushtetuta na garanton që çdo provim tjetër të mbahet në gjuhën shqipe”, ka deklaruar Jon Selimi, Student .
Me qëndrim të njëjtë pas takimit kanë dalë edhe studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, në të cilin nga viti 2002 Jeton Shasivari është i punësuar. Kreu i Lëvizjes Studentore Mevlan Ademi në një bisedë të shkurtër për Alsat, konfirmoi që studentët e hedhin poshtë propozimin dhe janë të qëndrimit për të dalë në protestë.
Pritet edhe vendimi i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, të cilët jozyrtarisht do të mblidhen nesër. Gjatë takimit me Shasivarin edhe përfaqësuesi i UT-së ishte në takim, ndërsa ishte në krah të kolegëve të cilët që atë ditë refuzuan propozimin.


