Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sulmuar ashpër presidentin francez Emmanuel Macron, duke e akuzuar se është dorëzuar përballë Islamit radikal, ndërsa Franca po përballet me protesta dhe trazira të dhunshme.
Në një intervistë për televizionin izraelit i24NEWS, Netanyahu kritikoi autoritetet franceze për mënyrën se si kanë menaxhuar situatën, duke pretenduar se nuk kanë marrë masat e duhura për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit.
“Është e dhimbshme të shohësh atë që po ndodh në Francë. Ata nuk u përgatitën në kohë, thjesht hoqën dorë. U dorëzuan përballë pushtimit të Islamit radikal”, deklaroi Netanyahu.
Kryeministri izraelit paralajmëroi se Europa rrezikon të përballet me pasoja edhe më të rënda nëse nuk ndërmerren masa kundër ekstremizmit.
“Luftoni, mos ndiqni politikën e zbutjes së tensioneve. Luftoni kundër ekstremistëve. Ata do të gllabërojnë Francën, do të gllabërojnë Europën”, u shpreh ai.
Netanyahu kujtoi gjithashtu një bisedë që pretendon se ka zhvilluar me Macronin pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
“Unë i thashë Emmanuel Macronit: Nëse nuk i eliminojmë këtu, do t’i keni në Paris. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh”, deklaroi kryeministri izraelit.
Deklaratat e tij vijnë pas protestave të dhunshme të 17 tetorit në Francë, ku në disa qytete u regjistruan përplasje mes demonstruesve dhe policisë, dëmtime të pronës dhe arrestime të shumta.
Megjithatë, autoritetet franceze nuk kanë paraqitur prova që trazirat të jenë organizuar nga grupe islamiste radikale. Protestat kanë nisur nga pakënaqësitë për kushtet në arsim dhe koston e jetesës, ndërsa më pas janë përshkallëzuar.
Akuzat e Netanyahut thellojnë përplasjet politike mes Izraelit dhe Francës, marrëdhëniet e të cilave janë tensionuar ndjeshëm për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj luftës në Gaza dhe çështjes palestineze.


