Me përplasje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq u mbyll mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të martën mbrëma me orën lokale në Kosovë.
Fjala fillimisht iu dha Gjuriqit i cili aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, e quajti të pamjaftueshëm. Ai gjithashtu kritikoi Kosovën e Shqipërinë për reagimet kundër gjykatës.
Megjithatë Gjuriqi nuk e tha asnjë fjalë për krimet serbe në Kosovë, ndërsa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, deklaroi se si çështje nuk mund të varet nga negociatat politike.
Ndaj kësaj reagoi Konjufca pasi i erdhi radha e fjalës së tij gjatë kësaj mbledhjeje.
Konjufca deklaroi se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të paarmatosur e të pafajshëm në Kosovë, duke iu drejtuar Gjuriqit që nuk e tha asnjë fjalë për këto viktima në fjalën e tij paraprakisht.
Sa i përket vendimit të Dhomave të Specializuara të cilat shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konjufca deklaroi se pavarësisht që u theksua që UÇK-ja nuk është në gjykim dhe nuk është qëllimi që të humben vlerat e luftës çlirimtare, shteti i Kosovës do të punojë që në shkallën e Apelit të korrigjohet padrejtësia.
“Aty u theksua qartë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është në gjykim dhe vendimi nuk ka për qëllim të humb vlerën e luftës çlirimtare e pastaj edhe shpalljen e shtetit të pavarur si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit të rajonit. Pavarësisht kësaj kemi shqetësime serioze për sa i përket dënimeve të ashpra. Ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojmë këto”, ka deklaruar Konjufca.
Gjuriqi përmendi edhe disa incidente fetare në Kosovë, për këtë Konjufca deklaroi se Kosova gjithmonë është njohur si vend me tolerancë fetare. Përmendi që së fundmi është zgjedhur një presidente katolike, duke iu referuar presidentes Justina Shiroka-Pula.
Duke ironizuar me Gjuriqin, Konjufca nënvizoi gjithashtu se në Masakrën e Mejës shumica e të vrarëve ishin katolikë, duke iu drejtuar Gjuriqit se a kështu e mbron Serbia krishterizmin?
Konjufca teksa përmendi faktin që Serbia përveç që vazhdon të mos e dorëzojë kriminelin serb Milan Radoiçiq, përgjegjësin kryesorë për sulmin e Banjskës, Gjuriqin e “këshilloi” të mos bëjë fotografi sepse përndryshe nuk po mund të kuptohet obsesionimi i tij për të ardhmen evropiane.
Ndërkohë përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka thënë se e ritheksojnë brengosjen e Bashkimit Evropian për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke shtuar se duhet të respektohet integriteti dhe pavarësia e gjyqësorit. Due ka kritikuar Policinë e Kosovës me pretendimin nuk ka ndarë informata me OKB-në gjatë kohës së protestave në Kosovë që u mbajtën pas vendimit të Gjykatës Speciale më 16 shtator. Ndër të tjera, Due ka kërkuar përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe kanalin e Ibër-Lepencit.
Due ka përmendur edhe çështjen e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe pretendimet për keqtrajtim të serbëve nga Policia e Kosovës, pas veprimeve të autoriteteve ligjzbatuese më 28 qershor në Gazimestan. Ai ka bërë të ditur se Inspektorati ka hapur hetimet e veta.
Por Konjufca e kritikoi raportin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë dhe mënyrën se si i është referuar zhvillimeve në Kosovë. Konjufca ka thënë se në raport përmenden vetëm në mënyrë të pjesshme përpjekjet e Kosovës për të promovuar sundimin e ligjit dhe stabilitetit.
Gjithashtu Konjufca kërkoi nga UNMIK-u që të përmbahet nga të dhënit jehonë propagandës serbe në Kosovë.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, deklaroi gjatë kësaj mbledhjeje se SHBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket misionit të UNMIK-ut, duke theksuar se ai “ka jetuar shumë më gjatë” se që ka qenë nevoja për të.
Sa i përket zhvillimeve të tjera në aspektin e sigurisë në Kosovë, përfaqësuesit e Rusisë dhe të Kinës në Këshillin e Sigurimit në Kombet u ankuan për vendimin e KFOR-it për optimizmin e trupave në komunat veriore të Kosovës.
Konjufca këtë e quajti tregues se është përmirësuar situata me sigurinë, sidomos në atë pjesë të Kosovës.


