Trump: E vetmja gjë që morëm në këmbim të mbështetjes për Ukrainën është naftë më e shtrenjtë

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Ukrainës që të arrijë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Ai argumenton se Moska ka avantazhin në fushën e betejës dhe se një marrëveshje e ardhshme mund të jetë më pak e favorshme për Kievin.

“Ukraina duhet t’i japë fund kësaj lufte”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, ku ndodhej së bashku me zëvendëspresidentin JD Vance.

Sipas tij, Rusia dëshiron marrëveshje dhe, në të njëjtën kohë, po shënon përparim në terren.

“Rusia është një makineri e madhe. Ata thjesht vazhdojnë të shtyjnë përpara, dhe kjo është ajo që kanë bërë. Ata kanë marrë një pjesë shumë të madhe të territorit. Kanë burime njerëzore të pashterueshme. Rusia është një vend gjigant. Ukraina nuk është”, u shpreh Trump.

Ai përmendi popullsinë në rritje të Rusisë dhe humbjet në rritje si arsye pse Kievi duhet të pranojë marrëveshjen. Trumpi pati një mesazh edhe për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i thënë se mund të kishte siguruar kushte më të mira më herët.

“Ai mund të kishte arritur një marrëveshje të mirë atëherë. Ndoshta, mund të kishte arritur një marrëveshje shumë më të mirë atëherë, sesa mundet tani”, vijoi Trump.