Komisioneri i OKB-së bën thirrje për dialog lidhur me protestat në Shqipëri dhe Evropë, Volter Turk: Dënoj të gjitha aktet e dhunës

Komisionieri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, u ka bërë thirrje autoriteteve dhe protestuesve në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali që të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës.

“Protestat masive në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali po ngrenë shqetësime lidhur me të drejtat e njeriut. Dënoj të gjitha aktet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjithë të përfshirëve që të ulin tensionet dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i zhvilluar në kushte sigurie.

Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të dëgjohen. Shtetet kanë detyrimin t’i mundësojnë dhe t’i garantojnë këto të drejta.

Shpreh keqardhjen e thellë për veprimet e atyre që shfrytëzojnë protestat për të kryer akte dhune dhe vandalizmi ndaj pronës publike dhe private. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi individuale për veprimet e tyre.

Jam i shqetësuar nga raportimet për përdorim të panevojshëm dhe të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë edhe fëmijët. Shtetet duhet të garantojnë që çdo ndërhyrje e organeve ligjzbatuese të jetë në përputhje me ligjin, e domosdoshme dhe proporcionale. Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet pa vonesë, në mënyrë efektive dhe të pavarur, duke garantuar vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës dhe mjete juridike efektive për viktimat.

Vërej se autoritetet kanë ndërmarrë tashmë disa hapa për hetimin e incidenteve dhe uljen e tensioneve. I nxis më tej shtetet që të angazhohen në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë me arsimin, shërbimet publike, strehimin, rritjen e kostos së jetesës dhe pabarazinë”, shprehet Volker Turk.