Profesori Berim Ramosaj ka shprehur dyshime për qëndrueshmërinë psikologjike të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke iu referuar ndryshimeve të mëdha në sjelljen dhe mendësinë e tij brenda periudhave relativisht të shkurtra kohore.
Ramosaj ka thënë se Shqipëria i ngjan një demokracie elektorale, në të cilën pushteti bazohet kryesisht në numrin e votave të fituara. Sipas tij, kjo qasje mund t’i japë Ramës ndjenjën se numri i deputetëve që e mbështesin i mundëson të sillet në mënyrën që po e bën aktualisht.
Pushteti aktual, duke u bazuar në këtë premisë elektorale, mendon se pushteti i fituar me numra të caktuar, për të cilët Rama në vazhdimësi thotë se i kemi mbi 80 deputetë, i jep autoritet dhe pushtet që, në një mënyrë apo tjetër, të sillet ngjashëm siç po sillet tani”, ka thënë Ramosaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka vënë në pah edhe atë që e cilësoi si luhatje të mëdha në mendësinë e Ramës, duke e përshkruar atë si një individ që, në mjedise të ndryshme, kalon nga një qasje shumë patriarkale në një qasje ekstreme liberale.
“Te Rama vërehet edhe një fenomen, që është mendësia e tij, e cila faktikisht oscilon nga një individ shumë patriarkal te një individ ekstrem liberal në mjedise të ndryshme. Ka amplituda shumë të mëdha, që unë dyshoj edhe në qëndrueshmërinë e tij psikologjike, duke marrë parasysh këto sjellje kaq të ndryshme në periudha relativisht të shkurtra kohore”, ka deklaruar Ramosaj.


