Autoritetet turke do të forcojnë kapacitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të rregullatorëve të tregjeve të kapitalit, tha të martën ministri i Thesarit dhe Financave i vendit, Mehmet Simsek, transmeton Anadolu.
Ministria ka përgatitur një projektligj për rregullime të përhershme strukturore, ndërsa projektligjin për likuidimin e përkohshëm ia ka dërguar parlamentit, tha Simsek në një transmetim të përbashkët të Bloomberg HT dhe HaberTurk.
Duke folur për çështjen e fundit që ka përfshirë tregun e fondeve në vend, ministri tha se tregjet e kapitalit do të dalin nga ky proces me një strukturë shumë më të shëndetshme dhe më të fortë.
Ai shtoi se kanë vendosur t’i japin përparësi likuidimit dhe t’i trajtojnë më vonë rregullimet e përhershme strukturore, pasi tregjet e kapitalit kanë rëndësi të madhe për Turqinë.
Simsek tha se autoritetet nuk do të ndjekin qasje që pengojnë zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Zyrtarët do të zbatojnë një qasje gjithëpërfshirëse për të rritur ndjeshëm gjobat për veprimtaritë që cenojnë funksionimin e tregut, tregtimin e koordinuar dhe tregtimin duke shfrytëzuar informacione të brendshme.
Simsek theksoi se autoritetet duhet të përdorin teknologji të avancuara, pasi tregu karakterizohet nga algoritme shumë të sofistikuara dhe veprime të koordinuara.
Ai nënvizoi se procesi i likuidimit të fondeve ka vijuar me ritmin e parashikuar dhe brenda kornizës së përcaktuar.
Ministri tha se, pas miratimit të ligjit nga parlamenti, autoritetet do të kryejnë shpejt pagesa deri në 1 milion lira (20.200 dollarë), në varësi të mjeteve financiare në dispozicion të fondeve.
Ai tha se zyrtarët e kanë ndarë procesin e likuidimit në dy kategori: Të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm.
Simsek vuri në dukje se autoritetet kanë zbatuar procedurën e zakonshme të likuidimit për kompanitë e administrimit të portofolit me struktura financiare relativisht të menaxhueshme.
Ai shtoi se zyrtarët kanë vendosur në likuidim 131 fonde që administrohen nga shtatë kompani të administrimit të portofolit.
Autoritetet kanë likuiduar plotësisht 66 nga 131 fondet e përfshira në këtë proces.
Zyrtarët kanë përfunduar likuidimin e plotë të tri prej shtatë kompanive të administrimit të portofolit.
Autoritetet u kanë paguar 40,8 miliardë lira (822,9 milionë dollarë) 45.747 llogarive, duke përfunduar me sukses procesin e zakonshëm të likuidimit.
Investitorët në fondet e tregut të parasë të administruara nga tri kompanitë e likuiduara plotësisht nuk kanë pësuar humbje, por kanë siguruar një kthim mesatar shtesë prej 1,43 për qind krahasuar me 17 shtatorin.
Investitorët në fondet me peshë të lartë të aksioneve kanë rikuperuar mesatarisht 58 për qind të vlerës së portofolit të tyre më 17 shtator, pasi çmimet e aksioneve ishin fryrë artificialisht përtej niveleve që justifikoheshin nga treguesit themelorë financiarë të kompanive.
Simsek ia atribuoi tërësisht rënies së çmimeve të aksioneve diferencën prej 42 për qind nga vlera e portofolit më 17 shtator.
Ai shtoi se fondet, çmimet e aksioneve të të cilave nuk ishin fryrë artificialisht, u kanë siguruar investitorëve të tyre kthime më të larta.


