Maksuti : Shqip në teori, Maqedonisht në praktikë : A është kjo në përputhje me ligin dhe kushtetutën?

SHQIP NË TEORI, MAQEDONISHT NË PRAKTIKË: A ËSHTË KJO NË PËRPUTHJE ME LIGJIN DHE KUSHTETUTËN?

Lidhur me takimin e djeshëm të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shazivari, me studentët dhe përfaqësuesit e fakulteteve juridike në të cilën ofroj zgjidhjen ligjore të provimit të jurisprudences, paraqes argumentet e mia që janë në kundërshtim me atë:

E para,

Vetë ministri i Drejtësisë, sipas Ligjit për dhënien e provimit të jurisprudencës, ka kompetencë për organizimin dhe mbajtjen e provimit, ndërsa ky ligj nuk e kufizon shprehimisht gjuhën në të cilën mund të organizohet ai.

Ministri i Drejtësisë, për organizimin e provimit në gjuhën shqipe, bazën ligjore e gjen te Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht te neni 23, paragrafi 4, i cili përcakton se, në rast të mos harmonizimit të ligjeve të tjera me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, pas periudhës njëvjeçare do të zbatohen dispozitat e këtij të fundit.

Pra, është në kompetencën e Ministrit që provimin e jurisprudencës ta organizojë plotësisht në gjuhën shqipe, e jo të ofrojë një zgjidhje gjysmake, sipas së cilës pjesa teorike zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht.

E dyta,

Meqenëse keni ndërmarrë nismën për ndryshime ligjore, por ende nuk e keni bërë publik, në formë të shkruar, propozimligjin konkret dhe po e paraqitni publikisht vetëm qasjen tuaj, dëshiroj të tërheq vëmendjen se zgjidhja gjysmake që propozoni, sipas së cilës provimi do të mbahej në gjuhën shqipe në pjesën teorike dhe në gjuhën maqedonase në pjesën praktike, ngre çështje serioze të përputhshmërisë me dispozitat dhe argumentet juridike në vijim:

1. Neni 1, paragrafi 3, i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

Kjo dispozitë përcakton përdorimin zyrtar të gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në institucionet e tjera të përfshira në fushëveprimin e ligjit. Ministria e Drejtësisë, si organ i pushtetit shtetëror, hyn në kuadrin institucional të këtij rregullimi.

Argumenti juridik qëndron në faktin se organizimi i provimit të jurisprudencës nga Ministria e Drejtësisë nuk mund të shqyrtohet jashtë detyrimeve ligjore që i ngarkohen këtij institucioni për përdorimin e gjuhëve zyrtare.

2. Neni 2, paragrafët 1 dhe 2, i Ligjit të përdorimit të gjuhëve, paraqesin bazën kryesore për rregullimin e kësaj të drejte.

Neni 2, paragrafi 1, përcakton të drejtën e qytetarëve për përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe detyrimin e institucioneve që t’ua mundësojnë këtë përdorim në procedura.

Paragrafi 2 përfshin procedurat gjyqësore, administrative dhe procedurat e tjera të parashikuara me ligje të tjera. Ai parashikon gjithashtu, detyrimin e organeve dhe institucioneve përkatëse që të mundësojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare në këto procedura.

Argumenti juridik qëndron në faktin se provimi i jurisprudencës mund të përfshihet në fushëveprimin e këtyre dispozitave. Kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe vetëm në pjesën teorike, duke e përjashtuar atë nga dy provimet praktike, krijon mospërputhje me detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Çështja që duhet trajtuar dhe argumentuar juridikisht është nëse dhënia e një provimi profesional përbën procedurë të mbuluar nga këto dispozita. Karakteri profesional i provimit nuk e përjashton automatikisht zbatimin e ligjit, i cili kërkon një interpretim juridik të argumentuar që përcakton se procedura e dhënies së provimit hyn në kuadrin e procedurave të parapara nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.

3. Neni 23, paragrafi 5, i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve

Kjo dispozitë përcakton se, kur dispozitat gjuhësore të një ligji tjetër nuk janë në përputhje me këtë ligj, organet janë të detyruara të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Këtu vjen në shprehje detyrimi për respektimin e këtij ligji, jo vetëm në aspektin formal, por edhe në frymën dhe qëllimin e tij, të shprehur në tekstin integral, ku gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare.

Ky formulim e përforcon argumentin kundër një zgjidhjeje që lejon përdorimin e gjuhës shqipe në pjesën teorike, por e përjashton atë nga dy provimet praktike.

E treta,

Pretendimi i ministrit të Drejtësisë se zgjidhja e ofruar ligjore, sipas së cilës pjesa teorike e provimit mbahet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht, është në harmoni me ruajtjen e standardeve profesionale, nuk qëndron si argument i mjaftueshëm juridik.

Kjo qasje duket se lidhet edhe me deklaratat e mëhershme të presidentes Siljanovska, sipas së cilës “vetëm një gjuhë juridike mundëson qartësinë e vendimeve gjyqësore”, si dhe me qëndrimin e fundit të kryeministrit Mickoski, i cili, duke iu referuar parimit lingua franca — gjuhës së përbashkët të komunikimit — ka argumentuar se, në sistemin e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut, kjo gjuhë duhet të jetë maqedonishtja.

Megjithatë, këto argumente nuk mund të shërbejnë vetvetiu si bazë për kufizimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare. Në praktikën ndërkombëtare ekzistojnë shtete ku vendimet gjyqësore hartohen, shpallen ose vihen në dispozicion në një nga gjuhët zyrtare, sipas rregullimit juridik përkatës. Prandaj, përdorimi i gjuhëve zyrtare nuk nënkupton domosdoshmërisht cenim të standardeve profesionale.

Standardet profesionale dhe cilësia e sistemit të drejtësisë duhet të garantohen përmes njohurive juridike, kompetencës profesionale dhe cilësisë së arsyetimit juridik, e jo përmes kufizimit të një gjuhe zyrtare në një pjesë të provimit.

E katërta,

Dërgimi i propozimligjit në Komisionin e Venecias, ndonëse mund të krijojë një praktikë jo të mirë të referimit të shpeshtë të ligjeve te ky organ këshillëdhënës, duhet të shihet në kontekstin e kompetencave të tij.

Një opinion këshillëdhënës i Komisionit të Venecias nuk e zëvendëson detyrimin e institucioneve shtetërore për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Përpara se të kërkohet një zgjidhje e re përmes këtij mekanizmi, duhet të analizohet nëse legjislacioni aktual ofron tashmë bazë të mjaftueshme juridike për mbajtjen e provimit të jurisprudencës plotësisht në gjuhën shqipe.

Nëse ekziston një bazë e tillë ligjore, çështja kryesore nuk është domosdoshmërisht krijimi i një zgjidhjeje të re, por zbatimi i drejtë dhe i plotë i dispozitave ekzistuese.

E pesta,

Deklarimi i shpeshtë i ministrit të Drejtësisë se provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe do të mbahet për herë të parë nuk e zgjidh çështjen thelbësore juridike.

Fakti se provimi organizohet për herë të parë në gjuhën shqipe mund të përbëjë një hap pozitiv, por nuk e përcakton vetvetiu shtrirjen e së drejtës gjuhësore dhe as nuk e justifikon kufizimin e saj vetëm në pjesën teorike.

Çështja nuk është thjesht nëse provimi do të mbahet për herë të parë në shqip, por nëse ai do të organizohet në mënyrë të plotë në këtë gjuhë, duke përfshirë edhe pjesën praktike.

Një zgjidhje që parashikon shqipen në teori dhe maqedonishten në praktikë nuk mund të konsiderohet automatikisht përmbushje e plotë e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe. Përkundrazi, ajo kërkon një arsyetim të qartë juridik që të justifikojë këtë dallim, dhe e

E gjashta,

Takimi që organizuat me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike duhej të shërbente si një mundësi e mirë për konsultim të mirëfilltë dhe për shqyrtimin e nevojës për përmirësimin e mëtejshëm të propozimligjit.

Megjithatë, nga mënyra se si u zhvillua diskutimi, u krijua përshtypja se përpjekja kryesore ishte bindja e studentëve dhe e opinionit publik se zgjidhja e propozuar nga ana juaj është e drejtë, pa u trajtuar në mënyrë të mjaftueshme kërkesa themelore e studentëve: që provimi i jurisprudencës të organizohet plotësisht në gjuhën shqipe.

Kjo kërkesë nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje politike apo si kërkesë për një kompromis administrativ, por si çështje që kërkon shqyrtim serioz kushtetues dhe ligjor, në dritën e dispozitave për përdorimin e gjuhëve zyrtare.

Në një shtet të së drejtës, konsultimet me studentët dhe përfaqësuesit akademikë nuk duhet të shërbejnë vetëm për të legjitimuar një zgjidhje të parapërcaktuar, por për të shqyrtuar në mënyrë të hapur argumentet juridike dhe për të gjetur zgjidhjen që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.