Skandal financiar në Postën e Maqedonisë: Ish-drejtori nën hetim për dëm prej gati 11 milionë denarësh!

Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut, J.M., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.

Sipas hetimeve, gjatë viteve 2021–2022, ish-drejtori nuk kishte zbatuar vendimet e Bordit Drejtues për shlyerjen e borxheve ndaj dy kompanive, në vlerë prej 19,3 milionë denarësh.

Megjithëse kishte dokumentacionin e nevojshëm, ai dyshohet se nuk kishte nënshkruar marrëveshjen, faturat dhe urdhërpagesat.

Si pasojë, kompanitë nisën procedura gjyqësore, ndërsa Posta u ngarkua me 10.968.483 denarë kamata ndëshkuese.

Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.