Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë thirrje për dialog me studentët, duke theksuar se qeveria dhe Kryeministri kanë ofruar tryezën e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e tyre.
Balla u shpreh se studentët meritojnë të dëgjohen dhe se tashmë është momenti për një Pakt të ri për Universitetin. Ai solli në vëmendje edhe investimet për përmirësimin e kushteve në konvikte, duke bërë të ditur se ditën e enjte në Kuvend do të votohet një marrëveshje me Republikën Federale Gjermane dhe KfË-në për më shumë investime në këtë drejtim.
Gjatë komunikimit të tij, Balla u ndal edhe te dhuna gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe dëmtimin e institucioneve e bizneseve.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon dhunën”, deklaroi Balla, duke theksuar se goditja ndaj punonjësve të policisë përbën vepër penale.
Ai krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në vende të tjera të Europës dhe të botës, duke pretenduar se në Shqipëri pjesa më e madhe e personave të lënduar që janë paraqitur në spital janë punonjës policie.
Balla u ndal edhe te pjesëmarrja e të miturve në protesta, duke e cilësuar përgjegjësi të prindërve që fëmijët të mos përfshihen në akte dhune apo të përdoren për qëllime politike.
Sa i përket situatës në arsim, ai theksoi se lajmi i mirë është vijimi i mësimit në të gjitha shkollat.
Në përfundim, Balla e cilësoi sulmin ndaj institucioneve si një ngjarje të rëndë, duke theksuar se godina e sulmuar nuk ishte përballur me një situatë të tillë as në vitet 1997 dhe 1998.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Sot besoj që është tepër e qartë, pa dyshim që studentët duhet të dëgjohen, dhe qeveria, Kryeministri ka ofruar tryezën ose, le të themi, sheshin e dialogut. Ku unë mendoj që është momenti i duhur për t’u ulur me studentët, studentët e thashë meritojnë të dëgjohen. Pakti për Universitetin është aty, koha për të pasur Paktin 2.0 për Universitetin është tani. Kush ka kërkesa që lidhen me gjithçka që kërkojnë studentët, me kushtet më të mira në konvikte, ditën e enjte votojmë në Kuvend një marrëveshje me Republikën Federale Gjermane dhe KFV-në pikërisht për të investuar më shumë në konvikte, që ka qenë, edhe unë kur kam qenë student, edhe ju kur keni qenë student, gjithmonë kushtet më të mira në konvikte, edhe pse duhet ta them që kushtet sot në konvikte as nuk krahasohen me kohën kur kemi qenë ne studentë. Janë shumë më të mira dhe shumë më komode, mos harrojmë që gjithë këto dëme që janë bërë deri më sot në bulevard apo në biznese shkojnë përtej një investimi që do të duhej për të bërë Korpusin e ri të Universitetit. Kështu që, të thëna të gjitha këto, dua t’ju them që në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e para kemi diskutuar, pa dyshim, le të themi, ose ka pasur një mesazh prej kryeministrit, një mesazh prej meje, për sfidat ose, le të themi, axhendën tonë parlamentare. Vijojmë punën në Kuvend në mënyrë të menjëhershme, sepse e vërteta është, për shumë që nuk e dinë, axhenda që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit si ligjvënës përgjatë këtij procesi është shumë intensive. Një javë e humbur nga java e kaluar, le të themi, na kushton shumë me kalendarin që kemi, pra ditën e enjte, në mos gaboj, janë 3 ose 4 ligje që kanë qenë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë, dhe është afati i fundit. Fundi i këtij muaji është afati i fundit që këto ligje duhet të kalohen, kanë marrë dritën jeshile nga Komisioni Evropian, pra është në përputhje të plotë me detyrimet që ka Shqipëria përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe lidhen edhe me piketat e ndërmjetme, pra ato parakushtet që kemi pasur, kështu që thirrja ime, thirrja ime për të gjithë është e para për dialog. Këtu matanë në bulevard janë vendosur karriget, gjithçka është gati, studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, është çështje e tyre. Kryeministri bashkë me Ministren e Arsimit apo ministra të tjerë sipas diskutimit janë po aty, duhet të ulemi. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon dhunën.
E para, unë kam qenë Ministër i Brendshëm, dhe mos prisni kurrë nga unë që ta filloj me elementin që është thelbësor, dhe elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit, është vepër penale.
Sot protesta të ngjashme ka në shumë vende në Europë dhe në botë, e vetmja gjë nga dallojnë protestat në Shqipëri nga protestat në Francë, në Belgjikë, në Argjentinë, nëse doni, apo në vende të tjera është që nëse në Francë tre në katër të lënduar janë protestues që kanë shkuar në spital, katër në pesë të lënduar në Argjentinë që kanë shkuar në spital janë protestues, në Shqipëri dy ndër tre nga ata që janë paraqitur në spital të lënduar apo të plagosur janë punonjës policie, pra nëse në të gjitha vendet e botës ku sot ka një protestë, quajeni si të duash, ANTIFA, GEN-Z, çfarë të doni ju, dallimi mes Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera është që në Shqipëri numri më i madh i të plagosurve ose të lënduarve janë punonjës policie. Në të gjitha vendet e tjera numri më i madh, me një përmbysje shumë të madhe, janë protestues…… Mua më dhemb shpirti për këdo që lëndohet, por mos harroni që për mua gjaku i punonjësit të policisë është gjaku i shtetit. Sa i përket minorenëve, nuk duhet të jenë fare aty dhe është përgjegjësi e të gjithë prindërve që fëmijët e tyre të mos t’i lënë të përdoren mish për top nga axhenda të caktuara politike në vend apo duart e huaja nga jashtë.
Për sa i përket sistemit arsimor, lajmi i mirë sot është që në të gjitha shkollat po bëhet mësim.
Sa i përket dhunës, po ju them se Shqipëria dhe përgjigjja ime është kjo: Shqipëria është i vetmi vend ku ka më shumë të lënduar policë sesa protestues.
Kur e gjitha kjo tentativë për të dëmtuar Shqipërinë, kur e gjithë kjo tentativë për të sulmuar institucionet është për herë të parë në 35 vjet, është sulmuar kjo godinë. Kjo godinë nuk është sulmuar as në ’97, as në ’98.


