735 pedagogë e akademikë në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e Ramës

735 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike në Shqipëri kanë nënshkruar një deklaratë me pesë pika, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.

Deklarata, e iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, kërkon gjithashtu formimin e një qeverie kujdestare dhe ndalimin e dhunës ndaj protestuesve në Tiranë.

Nënshkruesit i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit që të ndalë përdorimin e dhunës ndaj studentëve dhe të mos zbatojë urdhra të paligjshëm.

Në deklaratë, përfaqësive diplomatike në Tiranë u kërkohet të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.

Po ashtu, protestuesve u bëhet thirrje të ruajnë pronën publike dhe private, ndërsa qytetarëve të Tiranës u kërkohet të mbështesin të rinjtë përballë dhunës.