Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një reformë të rrezikshme në sektorin e sigurisë në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar Qeverinë se po përgatit në mënyrë jotransparente bashkimin e të gjitha shërbimeve të inteligjencës në një institucion të vetëm.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një reformë të rrezikshme dhe jotransparente të sektorit të sigurisë në Maqedoninë e Veriut. Përmes një postimi publik, ai pretendon se Qeveria po përgatit, larg syrit të opinionit, bashkimin e të gjitha shërbimeve të inteligjencës në një drejtori të vetme, duke marrë si model organizimin në Serbi.
Lloga thekson se, sipas emisionit investigativ KOD, në hartimin e projektligjit kanë marrë pjesë një ish-ministër i Punëve të Brendshme i dënuar, si dhe dy ish-drejtorë të shërbimeve të sigurisë.
Ai paralajmëron se rikthimi i kompetencave policore për shërbimet e inteligjencës, si ndjekja dhe arrestimi, do të përbënte një hap prapa dhe një rrezik për demokracinë, duke kujtuar keqpërdorimet që, sipas tij, ndodhën gjatë qeverisjes së kaluar.
Sipas Llogës, ekziston rreziku që, nën petkun e reformave, të rikthehet një model i ngjashëm me ish-UBK-në, të cilën ai e përshkruan si simbol të përgjimeve masive, ndjekjeve politike dhe montimit të rasteve kundër kundërshtarëve politikë.
Ai shpreh shqetësim edhe për mundësinë që institucionet e reja të drejtohen nga persona pa përvojë profesionale në fushën e sigurisë, duke ngritur dilema nëse synimi është reformimi institucional apo vendosja e kontrollit partiak mbi shërbimet e sigurisë.
Në fund, Lloga thekson se një reformë e vërtetë duhet të garantojë më shumë kontroll demokratik, mbikëqyrje parlamentare, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa shtron pyetjen nëse, në rast të organizimit sipas modelit serb, këto institucione do t’u shërbejnë qytetarëve dhe shtetit apo interesave partiake.
Postimi i plotë:
Në mënyrën më jotransparente të mundshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përgatit, prapa perdeve dhe larg syrit të publikut, një nga reformat më të mëdha në organet e sigurisë së vendit: bashkimin e të gjitha shërbimeve të inteligjencës (sekrete) në një drejtori të vetme, duke marrë si model Serbinë.
Sipas emisionit investigativ KOD, në hartimin e këtij projektligji kanë marrë pjesë edhe një ish-ministër i Punëve të Brendshme, i dënuar, si dhe dy ish-drejtorë të shërbimeve të sigurisë.
Kompetencat policore të shërbimeve të inteligjencës, përfshirë autorizimet për ndjekje dhe arrestim, ishin kufizuar pikërisht për shkak të keqpërdorimeve të së kaluarës, të cilat kulmuan gjatë qeverisjes së Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Rikthimi i këtyre autorizimeve do të përbënte një kthim të rrezikshëm pas dhe do të dëshmonte sëmundjen e pashëruar të këtij subjekti politik: dëshirën për kontroll të plotë mbi aparatin shtetëror.
Konsolidimi i kuadrove partiakë të VMRO-së nuk nënkupton edhe konsolidimin e shtetit, opozita shqiptare dhe maqedonase duhet të lëshojnë alarmojnë në nivelet më të larta të mundshme.
Një tjetër element shqetësues është mundësia që këto institucione të drejtohen nga persona të jashtëm, pa përvojë profesionale brenda tyre. Kjo ngre dyshime serioze nëse qëllimi i vërtetë është reformimi institucional apo vendosja e kontrollit partiak mbi shërbimet e sigurisë (Shembull konkret është Drejtoria e Ekzekutimit të Sanksioneve-ku për drejtorë u vendos jo profesionist por një ushtar partiak, drejtues i Institutit Patriotik të VMRO-së).
Nën petkun e reformave, po krijohet përshtypja se synohet rikthimi i UBK-së famëkeqe, e cila u bë simbol i keqpërdorimit të pushtetit, i montimit të rasteve kundër shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe i përgjimeve masive të qytetarëve që nuk mendonin si partia-shtet.
Të gjithëve na rikthehen në kujtesë skenat e përgjimeve masive, të ndjekjeve politike dhe të instrumentalizimit të institucioneve të sigurisë kundër kundërshtarëve politikë.
Reforma e shërbimeve të inteligjencës duhet të nënkuptojë më shumë kontroll demokratik, mbikëqyrje parlamentare, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionale, e jo përqendrim të pushtetit dhe rikthim të praktikave të së kaluarës.
Nëse shërbimet e inteligjencës organizohen sipas modelit të Vuçiqit, atëherë pyetja është e pashmangshme: kujt do t’i shërbejnë këto institucione, shtetit dhe qytetarëve, apo partisë dhe kryetarit të saj?




