Flick shpërthen në elozhe për Yamal: Është lojtari më i miri në botë, tani për tani

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u shfaq i kënaqur pas fitores 5-2 ndaj Real Betisit, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe në veçanti atë të Lamine Yamalit, të cilin e cilësoi si lojtarin më të mirë në botë në këtë moment.

“Goli i parë i Lamine është i pabesueshëm. Ai është lojtari më i mirë në botë tani për tani. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tij. Ka shumë presion mbi supe, por është vetëm 19 vjeç. Është i përkushtuar në gjithçka dhe kjo është fantastike”, deklaroi Flick.

Trajneri gjerman shpjegoi edhe arsyen pse vendosi ta zëvendësonte talentin spanjoll, në një ndeshje me intensitet të lartë dhe përpara një jave vendimtare për katalanasit.

“Ishte e qartë që duhej ta zëvendësonim Lamine. I thashë se isha krenar për të dhe se kishte luajtur në mënyrë fantastike”, u shpreh ai.

Flick vlerësoi gjithashtu lojën e skuadrës, duke theksuar se Barcelona e meritoi fitoren, pavarësisht vështirësive që i krijoi Betisi.

“Bëmë shumë gjëra mirë në sulm dhe luajtëm me intensitet. Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Betisi ishte shumë i mirë, por mendoj se e merituam fitoren”, tha trajneri.

Për Barcelonën, suksesi erdhi në një moment të rëndësishëm, përpara përballjes me PSG-në në Champions League dhe klasikes ndaj Real Madridit në kampionat. Flick theksoi se prioriteti i menjëhershëm është rikuperimi i lojtarëve dhe menaxhimi i minutave, ndërsa mbetet për t’u parë gjendja e Eric Garcias, Jules Koundes dhe Gerard Martin.

Sa i përket rekordit të nëntë fitoreve radhazi në La Liga, tekniku gjerman u shpreh i kënaqur, por nënvizoi se objektivat e vërtetë janë trofetë.

“Është diçka e bukur dhe një kujtim i veçantë, por ne duam të fitojmë tituj dhe të arrijmë gjëra të mëdha”, përfundoi Flick.