Kongresisti amerikan: Po i ndjek me shqetësim protestat në Shqipëri, Qeveria të përmbahet nga dhuna

Kongresisti amerikan, Joe Wilson, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, duke kërkuar nga qeveria që të përmbahet nga përdorimi i dhunës ndaj protestuesve.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Wilson ka thënë se populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale.

“Po e përcjell me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, anëtare e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Wilson.

Situata në Tiranë është përshkallëzuar ndjeshëm gjatë protestës, ku përplasjet dhe aktet e dhunës janë shoqëruar me disa vatra zjarri në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Flakët kanë përfshirë hyrjen e Bankës së Shqipërisë, ndërsa protestuesit u kanë vënë zjarrin edhe një biznesi dhe një automjeti pranë Gjykatës së Lartë. Po ashtu, raportohet se janë djegur edhe zyrat e Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, protestuesit kanë djegur edhe kosha mbeturinash në rrugë, duke rënduar më tej situatën në terren.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë kanë vijuar prej disa orësh, fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe aktualisht janë mbledhur pranë Gjykatës së Lartë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa dëmtimet dhe zjarret e shkaktuara gjatë protestës kanë përfshirë disa prej zonave kryesore të kryeqytetit.

Kujtojmë se Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 51 persona të arrestuar në lidhje me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit në Tiranë.