Bayern Munich ka dhuruar një spektakël në “Allianz Arena”, duke mposhtur RB Leipzigun me rezultatin e thellë 6-1. Protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Luis Diaz, i cili realizoi tre gola dhe udhëhoqi bavarezët drejt një fitoreje bindëse, që i ngjit ata në krye të Bundesligës.
Skuadra e Vincent Kompanyt e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në avantazh falë kolumbianit Diaz. Sulmuesi përfitoi nga një pasim i shkëlqyer i Joshua Kimmich dhe e dërgoi topin në rrjetë me qetësi.
Bayern vijoi presionin dhe dyfishoi shifrat me Aleksandar Pavlovicin, i cili finalizoi saktë brenda zonës. Në minutën e 34-t, Michael Olise shënoi golin e tretë pas një kombinimi të bukur me Harry Kane, duke e mbyllur praktikisht çështjen e fituesit që në pjesën e parë.
Pas pushimit, bavarezët nuk e ulën ritmin. Në minutën e 47-të, Diaz realizoi golin e dytë personal me një goditje të harkuar drejt cepit të portës. Më pas, Harry Kane festoi në mënyrën më të mirë paraqitjen e tij të 100-të në Bundesligë, duke shënuar golin e pestë pas një pasimi të Nathaniel Brown.
Spektakli i Diazit u kompletua në minutën e 69-të. Kolumbiani depërtoi nga krahu, hyri në zonë dhe me një goditje të shkëlqyer dërgoi topin në cepin e largët, duke vulosur tregolëshin personal.
Leipzigu arriti të shënonte golin e nderit me Andrija Maksimovic, por kjo nuk e zbehu aspak dominimin e vendasve.
Me këtë fitore, Bayerni ngjitet në krye të renditjes, duke kaluar Borussia Dortmundin dhe Freiburgun. Bavarezët regjistrojnë gjithashtu fitoren e katërt radhazi në përballjet direkte me Leipzigun.


