Takimi me Shasivarin, studentët kërkojnë prani të mediave dhe qasje në dokumentet zyrtare

Përfaqësuesit studentorë kanë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë një kërkesë zyrtare drejtuar ministrit Jeton Shasivari, me të cilën kërkojnë që takimi i paralajmëruar për të hënën të zhvillohet në praninë e plotë të mediave, të mbahet procesverbal zyrtar dhe t’u mundësohet qasje paraprake në qëndrimet dhe mendimet zyrtare të institucioneve kompetente.

Këtë e bëri të ditur Besar Sejdiu, përfaqësues i Kuvendit Studentor në Universitetin “Nëna Terezë” (UNT), i cili njoftoi se kërkesa është dorëzuar të enjten, së bashku me përfaqësuesit e tjerë studentorë.

Sipas Sejdiut, këto kërkesa synojnë të sigurojnë një diskutim transparent, të dokumentuar dhe të mbështetur në argumente juridike.

“Qëllimi ynë është i qartë: transparencë në proces, qasje në dokumentacionin zyrtar dhe një diskutim serioz, institucional dhe të dokumentuar, në mënyrë që studentët dhe opinioni publik të informohen drejt dhe pa paqartësi”, theksoi ai.

Sejdiu bëri të ditur se deri në momentin e njoftimit nuk kanë marrë konfirmim zyrtar nëse Ministria i ka pranuar kërkesat e tyre.

Megjithatë, ai shprehu pritjen që kërkesat të merren parasysh dhe të miratohen, në frymën e transparencës dhe bashkëpunimit institucional.