Mexhiti: Shkupin do ta shënderojmë në qendër të Universiadës Mbarëkombëtare Shqiptare në kuadër të Festave të Nëntorit

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti gjatë ditës së sotme ka pritur dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, së bashku me përfaqësuesit e Programit Studimor Sport dhe Shkenca Sportive të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup me të cilët diskutuan për një iniciativë të veçantë: organizimin e Universiadës Mbarëkombëtare – Çair 2026, në kuadër të Festave të Nëntorit, shkruan Top24

“Synimi ynë është që këtë nëntor, Shkupi, me Çairin në qendër të organizimit, të bëhet vendtakim i studentëve dhe universiteteve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Përmes garave dhe aktiviteteve sportive, duam t’u krijojmë të rinjve mundësinë të dëshmojnë talentin dhe aftësitë e tyre, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë miqësi që shkojnë përtej fushës sportive.Festat e Nëntorit na kujtojnë historinë, gjuhën, identitetin dhe vlerat që na bashkojnë. Besojmë se këtyre festave mund t’u japim një dimension të ri, duke e pasuruar programin e aktiviteteve me pjesëmarrjen e rinisë universitare dhe duke e kthyer sportin në një urë të rëndësishme të bashkëpunimit mbarëkombëtar.” shkruan kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

Postimi i plotë i Izet Mexhitit:

Shkupin do ta shndërrojmë në qendër të Universiadës Mbarëkombëtare Shqiptare në kuadër të Festave të Nëntorit!
Kisha kënaqësinë të mirëpres në takim dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, së bashku me përfaqësuesit e Programit Studimor Sport dhe Shkenca Sportive të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vazhdën e bashkëpunimit dhe partneritetit që kemi ndërtuar me Universitetin “Nënë Tereza”, diskutuam për një iniciativë të veçantë: organizimin e Universiadës Mbarëkombëtare – Çair 2026, në kuadër të Festave të Nëntorit.
Synimi ynë është që këtë nëntor, Shkupi, me Çairin në qendër të organizimit, të bëhet vendtakim i studentëve dhe universiteteve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Përmes garave dhe aktiviteteve sportive, duam t’u krijojmë të rinjve mundësinë të dëshmojnë talentin dhe aftësitë e tyre, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë miqësi që shkojnë përtej fushës sportive.
Festat e Nëntorit na kujtojnë historinë, gjuhën, identitetin dhe vlerat që na bashkojnë. Besojmë se këtyre festave mund t’u japim një dimension të ri, duke e pasuruar programin e aktiviteteve me pjesëmarrjen e rinisë universitare dhe duke e kthyer sportin në një urë të rëndësishme të bashkëpunimit mbarëkombëtar.
Ambicia jonë shkon përtej organizimit të një ngjarjeje sportive. Dëshirojmë të hedhim themelet e një tradite të re, që do ta vendosë Çairin në kalendarin e aktiviteteve të përvitshme universitare dhe do të nxisë bashkëpunime të qëndrueshme ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Në këtë nismë, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është një partner i rëndësishëm, me të cilin ndajmë vizionin për t’u ofruar studentëve më shumë hapësira për zhvillim, pjesëmarrje dhe angazhim në jetën shoqërore e sportive.
Sepse në fund, suksesi i një universiade nuk matet vetëm me rezultate, trofe dhe medalje, por edhe me përvojat që fitojnë të rinjtë, lidhjet që krijojnë dhe mundësitë që hapen për të ardhmen e tyre.
Nëntori na bashkon përmes historisë, ndërsa sporti na afron drejt së ardhmes!