Departamenti amerikan i Thesarit ka zgjatur përjashtimin nga sanksionet ekonomike që u mundëson pikave të karburantit me markën Lukoil në tregjet e huaja të vazhdojnë operacionet e zakonshme për konsumatorët, transmeton Anadolu.
“Lejohen të gjitha transaksionet, që janë zakonisht të domosdoshme dhe të nevojshme” për funksionimin ose mbylljen e pikave të karburantit jashtë Rusisë, njoftoi Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit të Thesarit, duke autorizuar këto aktivitete deri më 24 prill.
Masa u lejon filialeve të kompanisë të kryejnë debitime dhe kreditime në llogaritë bankare të ngrira më parë për të mbuluar shpenzimet e zakonshme operative.
Megjithatë, licenca ndalon shprehimisht “transferimin e fondeve te çdo person ose llogari që ndodhet në Federatën Ruse” dhe përjashton çdo transaksion financiar që përfshin Bankën Qendrore të Rusisë.
Njoftimi vjen pas një marrëveshjeje për furnizimin me naftë dizel, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e bëri të ditur javën e kaluar pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas marrëveshjes, Moska ra dakord të furnizojë me karburant SHBA-në dhe tregjet globale.


