Rasti i Iva Mihajllovës ka hapur një tjetër front mes Shkupit dhe Sofjes. VMRO-BND-ja e Krasimir Karakaçanovit kërkon që Bullgaria të mos pranojë asnjë kërkesë për ekstradim dhe të ngrijë dialogun për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, në Shkup, LSDM-ja kërkon ndryshimet kushtetuese dhe akuzon Qeverinë për premtime të pambajtura, ndërsa VMRO-DPMNE-ja paralajmëron se gjuha maqedonase nuk ka garanci të mjaftueshme në procesin e anëtarësimit
Një rast gjyqësor po merr përmasa të reja diplomatike, ndërsa rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë peng i mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Nga Sofja vjen kërkesa për ngrirjen e plotë të dialogut integrues, kurse në Shkup partitë përplasen për ndryshimet kushtetuese, garancitë për gjuhën maqedonase dhe përgjegjësinë për ngecjen e negociatave. Rasti i Iva Mihajllovës është kthyer kështu në një tjetër pikë tensioni, duke nxjerrë në pah se sa lehtë një çështje konkrete mes dy vendeve mund të përfshihet në debatin më të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Partia bullgare VMRO-BND, e udhëhequr nga ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, ka kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të pakompromis nga institucionet shtetërore bullgare kundër kërkesave të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut lidhur me Iva Mihajllovën. Në reagimin e saj, partia i bën thirrje Qeverisë, presidentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë që të refuzojnë çdo bashkëpunim gjyqësor apo kërkesë për ekstradim të Mihajllovës. “VMRO-ja këmbëngul për veprim të menjëhershëm dhe të pakompromis nga Qeveria, presidenti dhe Ministria e Punëve të Jashtme, përfshirë refuzimin absolut të çfarëdo kërkese maqedonase për ekstradim apo bashkëpunim gjyqësor lidhur me Iva Mihajllovën. Shteti ynë është i detyruar t’u sigurojë qytetarëve të vet mbrojtje të plotë diplomatike, juridike dhe mjekësore”, thuhet në reagimin e partisë bullgare.
Por kërkesa e VMRO-BND-së nuk përfundon me rastin Mihajllova. Partia e Karakaçanovit kërkon që Bullgaria ta lidhë drejtpërdrejt këtë çështje me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. “VMRO-ja gjithashtu këmbëngul për ngrirjen e menjëhershme dhe të plotë të çdo dialogu për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka negociata, nuk ka heqje të vetos nën asnjë presion, derisa Shkupi të ndalë terrorin e tij fizik, administrativ dhe gjyqësor ndaj bullgarëve të Maqedonisë”, thuhet në komunikatë. “Koha e kompromiseve ka përfunduar! Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të çdo bullgari është çështje e sovranitetit kombëtar! Shkupi nuk do të fitojë të ardhme evropiane mbi kurrizin e bashkëkombësve tanë të përndjekur!”, përfundon reagimi i partisë së Karakaçanovit.
A KA MARRËVESHJE TË FSHEHTË PËR MIHAJLLOVËN?
Ndërkohë, rasti i Iva Mihajllovës ka shkaktuar përplasje edhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, në një intervistë për Radiotelevizionin e Maqedonisë, ka ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme të fshehtë lidhur me largimin e Mihajllovës nga vendi. Sipas tij, opinioni ende nuk ka marrë shpjegim të qartë se si ajo është larguar nga territori i Maqedonisë së Veriut, ndërsa autoritetet duhet të japin përgjigje për rrethanat e rastit. Filipçe ka kërkuar gjithashtu që Bullgaria ta ekstradojë Mihajllovën, duke vlerësuar se ky do të ishte veprimi minimal në interes të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ai e ka cilësuar ekstradimin si “më e pakta që Bullgaria duhet dhe mund të bëjë” për të kontribuar në raportet ndërmjet dy vendeve.
ÇDO VONESË DREJT BE-së DO TË THOTË HUMBJE KOHE
Përtej rastit Mihajllova, kreu i LSDM-së ka rikthyer në vëmendje edhe çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke këmbëngulur se ato janë hapi i nevojshëm për avancimin e procesit të integrimit evropian. Sipas Filipçes, detyrimet për ndryshimet kushtetuese burojnë nga marrëveshja e arritur me Bashkimin Evropian dhe nuk mund të anashkalohen përmes premtimeve të reja politike. “Për këtë këmbëngul Bashkimi Evropian, sepse kjo është marrëveshja që shteti e ka me të gjithë Bashkimin Evropian”, deklaroi Filipçe. Ai akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në se kanë ardhur në pushtet me premtime për përmirësimin e kushteve negociuese, të cilat, sipas tij, nuk janë realizuar. “Me një fushatë të rreme, Hristijan Mickoski dhe VMRO-ja erdhën në pushtet, duke thënë se do t’i përmirësonin kushtet e negociatave. Ja tani, pasi të gjithë u thanë se është e pamundur të ndryshohen ato, shtrohet pyetja: çfarë po presin?”, deklaroi kreu i LSDM-së.
Filipçe rikujtoi edhe premtimet e mëhershme të VMRO-DPMNE-së lidhur me emrin kushtetues të shtetit, Marrëveshjen e Prespës dhe kornizën negociuese me BE-në. “Pse nuk e ktheu emrin e vjetër kushtetues? Pse nuk e përmirësoi pozicionin negociues? Pse nuk e anuloi Marrëveshjen e Prespës, siç premtonte? Sepse gjithçka në fushatën e tij, si në opozitë deri në vitin 2024, ashtu edhe tani në pushtet, është një gënjeshtër e madhe”, tha Filipçe.
Sipas tij, zvarritja e ndryshimeve kushtetuese nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve me Brukselin, por ka pasoja të drejtpërdrejta për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e qytetarëve. “Duke pasur parasysh se absolutisht asgjë nuk mund të ndryshohet, qytetarët do të jenë dëshmitarë se gjithçka do të përfundojë tek ajo që ne e themi prej dy vitesh: se ky është hapi që duhet bërë. Gjithçka tjetër është humbje kohe, humbje dekadash, që për ne do të thotë varfëri, izolim, shpërngulje të fëmijëve, orë të tëra pritjeje në kufij dhe zhytje në borxhe. Dhe asgjë tjetër”, deklaroi Filipçe.
GJUHA MAQEDONASE NUK ËSHTË PLOTËSISHT E MBROJTUR
Por nga VMRO-DPMNE-ja vjen një tjetër interpretim i rreziqeve që lidhen me procesin negociues. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka kundërshtuar pretendimet e Filipçes se ndryshimet kushtetuese dhe kërkesat bullgare nuk paraqesin rrezik për identitetin maqedonas. Në një reagim në Facebook, Milloshoski argumenton se përmendja e gjuhës maqedonase në Kornizën Negociuese nuk është e barasvlershme me përfshirjen e saj formale ndër gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. Sipas tij, një vendim i tillë në të ardhmen do të kërkonte pajtimin unanim të shteteve anëtare, çka do t’i jepte secilit prej tyre mundësinë të kundërshtonte vendimin.
Si argument juridik, Milloshoski përmend nenin 55 të Traktatit për Bashkimin Evropian dhe nenin 342 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se regjimi gjuhësor i institucioneve evropiane përcaktohet me unanimitet në Këshillin e BE-së. Në këtë kontekst, ai rikujton deklaratën e Bullgarisë të dorëzuar në Këshillin e BE-së në korrik të vitit 2022, sipas së cilës përdorimi i termit “gjuhë maqedonase” në Kornizën Negociuese nuk duhet të interpretohet si njohje e kësaj gjuhe nga Sofja. Për Milloshoskin, kjo deklaratë tregon se kontesti gjuhësor mund të vazhdojë të jetë objekt i mosmarrëveshjeve edhe në fazat e mëvonshme të integrimit. Ai e lidh përgjegjësinë politike për këtë situatë me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë të vitit 2017 dhe Protokollin e vitit 2022, duke akuzuar ish-qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së se ka pranuar zgjidhje që, sipas tij, lënë hapësirë për bllokada të reja.
Milloshoski ka hapur edhe debatin për mënyrën se si gjuhët e vendeve të reja anëtare përfshihen në sistemin institucional të Bashkimit Evropian. Ai përmend mundësinë e përfshirjes së gjuhës malazeze ndër gjuhët zyrtare të BE-së në kuadër të marrëveshjes së ardhshme të anëtarësimit të Malit të Zi. Sipas tij, në Bruksel ekzistojnë dilema gjuhësore dhe buxhetore për shtimin e gjuhëve të reja zyrtare, ndërsa gjatë muajve të ardhshëm pritet të ketë një pasqyrë më të qartë për këtë çështje.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së konsideron se përfshirja formale e gjuhës maqedonase ndër gjuhët zyrtare të Unionit do të kërkojë angazhim diplomatik dhe mbështetje nga shtetet anëtare, pavarësisht përmendjes së saj në dokumentet aktuale të procesit negociues. Megjithatë, dallimi juridik është i rëndësishëm: rregullat e BE-së parashikojnë vendimmarrje unanime për regjimin gjuhësor të institucioneve, por kjo nuk do të thotë se tashmë ekziston një vendim për ta përjashtuar gjuhën maqedonase nga një marrëveshje e ardhshme anëtarësimi.
MES NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE DHE GARANCIVE EVROPIANE
Kundërshtitë LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së pasqyron dy qasje të ndryshme ndaj ngërçit eurointegrues. Opozita këmbëngul se ndryshimet kushtetuese duhet të realizohen për të mundësuar përparimin e negociatave, duke e konsideruar shtyrjen e tyre si humbje të kohës dhe mundësive zhvillimore. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushtetit vënë në pikëpyetje mjaftueshmërinë e garancive ekzistuese, veçanërisht për çështjet që lidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Në këtë debat përfshihet edhe qëndrimi i ri i VMRO-BND-së bullgare, e cila kërkon që rasti Mihajllova të shërbejë si arsye për ngrirjen e dialogut integrues. Për Maqedoninë e Veriut, sfida mbetet e dyfishtë: përmbushja e detyrimeve të procesit të anëtarësimit dhe menaxhimi i mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, pa lejuar që tensionet e reja të prodhojnë pengesa shtesë.


