Ferati takoi shefen e Zyrës së KB-së në Beograd, në fokus integrimi euroatlantik

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati zhvilloisot  takim me shefen e Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Beograd, Dominika Kros, ku diskutuan për zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, proceset integruese dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në funksion të avancimit të agjendës euroatlantike të vendit.

Gjatë takimit, siç njofton Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive u theksua përkushtimi për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane, si shtylla të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Ministri vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të reformave dhe përparimit të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit euroatlantik.

“Në këtë drejtim, u riafirmua nevoja për dialog të vazhdueshëm, partneritet institucional dhe koordinim të përbashkët për përballimin e sfidave rajonale, forcimin e paqes dhe sigurisë, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe prosperuese për qytetarët”, shtohet më tej në kumtesë.