Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke paralajmëruar për demonstrata të shoqëruara me incidente të dhunshme në disa qytete të Shqipërisë. Përfaqësia diplomatike paralajmëron për protesta të tjera në ditët në vijim, si dhe për bllokime rrugësh e ndërprerje të shërbimeve publike.
Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Përfaqësia diplomatike paralajmëron se protestat mund të shtrihen edhe në rrugët përreth zonave ku zhvillohen tubimet, duke sjellë shtim të pranisë policore, vështirësi në qarkullim, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata, ndërsa u kërkon qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar.
“Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata. Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit. Në njoftim theksohet gjithashtu se situata mund të ndikojë në funksionimin e shërbimeve publike në të gjithë vendin”,thuhet më tej.
Sipas Ambasadës, priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe institucionet arsimore. Ambasada u rekomandon qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale për informacionet më të fundit, të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve të rendit dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence për t’u larguar nga zonat e rrezikshme. Në përfundim, përfaqësia diplomatike amerikane u bën thirrje qytetarëve të saj të qëndrojnë vigjilentë, të shmangin tërheqjen e vëmendjes dhe të vendosin sigurinë personale në plan të parë.
“Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike”, thekson Ambasada.
Deklarata e plotë e Ambasadës Amerikane në Tiranë:
Demonstrata po zhvillohen në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë, Kukës dhe Elbasan, veçanërisht në qendrat e qyteteve dhe pranë ndërtesave qeveritare. Disa prej demonstratave janë shoqëruar me dhunë. Protestuesit kanë përdorur mjete zjarrvënëse, kanë hedhur gurë dhe kanë dëmtuar prona publike dhe private. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim.
Demonstratat mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë së policisë, probleme me qarkullimin, devijime të trafikut dhe bllokime rrugësh. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstrata. Qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit.
Pasojat e pritshme
Priten mbyllje të tjera ose kufizime të shërbimeve publike në të gjithë Shqipërinë, përfshirë transportin publik, zyrat shtetërore dhe shkollat.
Masat që duhen marrë
Rrisni kujdesin për sigurinë tuaj duke shmangur demonstratat dhe duke qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike. Ndiqni mediat lokale për informacionet më të fundit. Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një mënyrë për t’u larguar nga zona në rast rreziku dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes.


