Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA–ECPAT Shqipëri) dhe Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët (ALO 116-111) kanë dalë me një deklaratë të fortë publike për mediat, duke reaguar mbi përfshirjen dhe shoqërimin e të miturve gjatë protestave të ditëve të fundit.
Organizatat shprehin shqetësimin e tyre të thellë për përshkallëzimin e situatës dhe dhunën e ushtruar, duke nësulluar se fëmijët dhe adoleshentët nuk duhet në asnjë mënyrë të paguajnë çmimin e mungesës së dialogut politik në vend.
Nëpërmjet kësaj deklarate, CRCA dhe ALO 116-111 i bëjnë thirrje urgjente Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjitha partive politike parlamentare që të ulen në dialog për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për krizën aktuale, si dhe t’i japin përgjigje kërkesave të të rinjve që po protestojnë në të gjithë vendin.
Deklarata e plotë publike:
CRCA–ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 kanë marr gjatë ditës së sotme raporte nga media si dhe prindër, fëmijët e të cilëve janë dhunuar nga policia gjatë protestës së djeshme dhe të sotme, ndërkohë që persona të veshur civilë dhe pa devizën e Policisë së Shtetit, janë parë në disa video duke ndaluar adoleshentë në rrugë për t’i pyetur apo shoqëruar në polici.
Me anë të kësaj deklarate publike ne duam të dënojmë me forcë çdo formë të dhunës dhe intimidimit të fëmijëve, duke shprehur shqetësimin tonë të thellë për përshkallëzimin e situatës gjatë protestave të studentëve dhe të nxënësve në Shqipëri. Vetëm një ditë pas Thirrjes sonë Urgjente Publike për mbrojtjen e fëmijëve në protesta, mediat kanë publikuar pamje shqetësuese të dhunës apo të ndalimit të nxënësve dhe studentëve nga ana e policisë, ndërkohë që për shkak të përshallëzimit të dhunës ka patur të dëmtuar ndërmjet forcave të policisë.
Si ligji i brendshëm ashtu edhe standartet ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti shqiptar, e konsiderojnë të papranueshme përballjen e fëmijëve me dhunë, frikësim apo trajtim poshtërues për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Këto raste kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, identifikimin e personave përgjegjës dhe transparencë të plotë nga Policia e Shtetit.
Ne dënojmë gjithashtu aktet e dhunës nga protestues të caktuar të lëndimit të punonjësve të policies dhe të dëmtimit të pronës publike dhe private. Dhuna e disa individëve nuk justifikon përdorimin e forcës së panevojshme apo joproporcionale ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj fëmijëve.
Sidoqoftë shqetësimi ynë shkon përtej sjelljes së policisë. Mungesa e dialogut politik dhe shoqëror e ka lënë Policinë e Shtetit të përballet pothuajse e vetme me një krizë që nuk mund të zgjidhet me masa policore. Kur institucionet që përfaqësojnë popullin, si Kuvendi dhe Qeveria nuk krijojnë hapësira për dialog politik dhe shoqëror, atëhere rreziku i përshkallëzimit të dhunës rritet dhe besimi i të rinjve tek shteti dobësohet.
Nisur nga kjo situatë e paprecedentë, që po rrezikon jetën dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, CRCA–ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 rekomandojnë marrjen e masave të mëposhtme:
Hetim të pavarur të çdo pretendimi për dhunë policore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, përfshirë veprimet e personave me veshje civile, identiteti dhe autorizimi i të cilëve duhet të verifikohen.
Ndalimin e përdorimit të forcës së panevojshme dhe joproporcionale nga ana e Policisë së Shtetit, si dhe shmangien e përdorimit të gazit lotsjellës dhe mjeteve ujëhedhëse në zonat ku ndodhen fëmijë dhe adoleshentë.
Garantimin e të drejtave dhe mbrojtjes ligjore të çdo të mituri të shoqëruar apo arrestuar, si dhe publikimin e të dhënave mbi fëmijët e lënduar ose të ndaluar, pa cenuar identitetin e tyre.
Ndërhyrjen e menjëhershme të Avokatit të Popullit dhe institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve për monitorimin e veprimeve policore dhe parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.
Hapjen urgjente të dialogut politik dhe shoqëror nga ana e Kuvendit dhe partive politike parlamentare, me studentët dhe të rinjtë protestues, për të dëgjuar kërkesat e tyre, për t’i kërkuar llogari Qeverisë për dështimet e saj, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Të gjitha partitë politike parlamentare kanë për detyrë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize që rrezikon statusin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ne u bëjmë thirrje gjithashtu organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo formë dhune dhe të mbrojnë sigurinë e fëmijëve dhe të qytetarëve të tjerë. Një shtet demokratik nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të të rinjve vetëm përmes ndërhyrjeve policore. Dialogu është përgjegjësi e institucioneve politike, ndërsa mbrojtja e fëmijëve është detyrim i panegociueshëm i shtetit.


