95 pacientë po trajtohen për tuberkuloz! Vaksinat BCG pritet të arrijnë brenda pak ditësh në Maqedoni

Vaksinat BCG kundër tuberkulozit pritet të arrijnë në vend brenda pak ditësh, ndërsa imunizimi me vaksinën e prodhuesit bullgar “Bul Bio” është shtyrë përkohësisht pas raportimit të katër rasteve të dyshuara të inflamacionit të kockave te fëmijët në Kroaci.

Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se po kontrollohen cilësia e vaksinave dhe lidhja e mundshme me këto raste. Prindërit këshillohen të qëndrojnë të qetë dhe të kërkojnë vlerësim mjekësor nëse fëmijët shfaqin dhimbje, ënjtje të kockave ose vështirësi në lëvizje.

Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë rikujtojnë se vaksinimi kundër tuberkulozit është i detyrueshëm. Aktualisht, 95 pacientë po trajtohen për këtë sëmundje në vend.