Kandidati për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka ftuar qytetarët, miqtë, familjarët dhe bashkëvendasit që të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, i cili do të mbahet të premten në Çellopek.
Tubimi do të zhvillohet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në shkollën fillore qendrore „7 Marsi“, ku pritet të përcillet mesazhi i fundit i fushatës para zgjedhjeve lokale të 18 tetorit.
Jahiji ka theksuar rëndësinë e unitetit, besimit dhe angazhimit të përbashkët për një Bërvenicë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për të gjithë qytetarët.
Pas një fushate të karakterizuar nga takimet me qytetarët dhe prezantimi i ideve për të ardhmen e komunës, kandidati ka ftuar qytetarët që të bashkohen në këtë tubim, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për rrugëtimin drejt një fillimi të ri për Bërvenicën.
Me moton „Bashkë për Bërvenicën që duam!“, Jahiji u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubimin përmbyllës dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë më 18 tetor.


