Kosova refuzon importin e 27 tonëve misër nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka refuzuar importin e 27 tonëve me misër nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për media u bë e ditur se në kuadër të kontrolleve të shtuara për sigurinë ushqimore, AUV hasi në një ngarkesë me misër me prezencë të aflatoksinës mbi limitet e lejuara.

“Menjëherë është nxjerrë vendim për refuzimin e importit të ngarkesës me sasi 27 mijë kilogramëve misër merkantil me origjinë nga Serbia. Importuar nga operatori ekonomik IDEAL GROUP SH.P.K.”, thuhet në njoftim.

Analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e aflatoksinës në nivel prej 33 µg/kg, mbi kufirin e lejuar prej 20 µg/kg.

“Rezultati është konfirmuar përmes superanalizës së realizuar nga laboratori referent në Austri. Në bazë të këtyre rezultateve, AUV ka urdhëruar refuzimin e importit dhe kthimin e të gjithë sasisë në vendin e origjinës”, njofton AUV.

Në fund u bë e ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e përkushtuar ndaj kontrolleve rigoroze të importeve, mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të hyrjes në tregun e Kosovës të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.